Aktuale
Investimet komunale të Kaçanikut zgjerohen në ndriçim publik e në rrugë
Kryetari i Komunës së Kaçaniku, Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra, u takuan me ekzekutivin komunal në kuadër të mbledhjes së fillimjavës, ku u diskutuan zhvillimet javore komunale.
Drejtori i Shërbimeve Publike Ramadush Osmani, bëri të ditur se punimet në projektet e shumta kapitale që janë duke u realizuar, janë duke u zhvilluar me intensitet të planifikuar. Investimet komunale veç tjerash, tashmë janë orientuar edhe në rregullimin e ndriçimit publik si dhe në rregullimin e urave.
Punimet janë duke vazhduar në kuadër të projektit “Ndërtim i urës mbi lumin Lepenc”- fshati Kovaçec – ku është duke u bërë punimi dhe betonimi i shtyllës së mesme dhe në projektin “Ndërtimi i urës mbi lumin Nerodime”. Punimet kanë filluar në projektin “Rregullim i ndriçimit publik” ku është duke u punuar në vendosjen e llampave ndriçuese në rrugët: “Besnik Begunca”, “Raif Krivanjeva”, Izahir Troni”, “Beteja e 25 Majit” – projekt i financuar nga mjetet e buxhetit komunal dhe Grandit të Performancës së vitit 2018. Punimet kanë filluar edhe në projektet tjera kapitale komunale që kanë për qëllim rregullimin e infrastrukturës rrugore: ”Asfaltim i rrugëve në lagjen Tushaj” ku është duke u bërë shtrimi i shtresës së zhavorit, fillimi i punimeve në projektin “Ndërtimi i rrugëve në fshatin Kotlinë” zgjerimi dhe shtrimi me zhavor i rrugës “Milaim Loku”, ndërsa poashtu është duke u implementuar projekti “Furnizimi me gyp te ujësjellësit” që ka për qëllim furnizimin me 3000 m gyp ujësjellësi për nevoja të sistemeve të ujësjellësit ne komunën e Kaçanikut.
Punimet janë duke vazhduar edhe në dhjetëra projekte të tjera që kanë synim ngritjen e mirëqenies qytetare pa dallime lagje apo fshati.