Aktuale
Për gjashtë muaj arkëtohen afro 3 milionë të hyrja vetjake në Ferizaj
Komuna e Ferizajt gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti nga të gjitha kategoritë ka inkasuar të hyra vetjake në vlerë prej 2 milionë e 687 mijë e 430 eurosh apo 27 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas zyrtarëve komunalë, edhe plani total i të hyrave është i kënaqshëm, andaj zotohen se këto mjete financiare do t’iu kthehen qytetarëve nëpërmjet investimeve kapitale. Sebahate Ajeti –Sadiku ka thënë se kjo ecuri financiare po ecën mjaft mirë sipas planifikimeve, andaj kërkon nga qytetarët që të vazhdojnë edhe gjatë këtyre muajve të bëjnë pagesa të ndryshme me qëllim që të gjitha këto të hyra do t’ua kthejnë qytetarëve nëpërmjet investimeve kapitale.
Sipas saj, edhe ligjet aktuale u japin përparësi borxhlinjve te tatimi në pronë në mënyrë që të përfitojnë gjatë kryerjes së pagesave, shkruan sot Koha Ditore.
“Të hyrat vetjake për këtë periudhë i kemi rritur për 27 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar apo si total i kemi të realizuara gjithsej 2 milionë e 687 mijë e 430 eurosh. Mirëpo nëse e marrim në krahasim me të hyrat e planit të buxhetit për tërë vitin 2018 i kemi pasur 5 milionë e 100 mijë euro, ndërkaq vetëm në këtë gjashtëmujor të këtij viti kemi arritur ta realizojmë këtë plan mbi 50 për qind. Te të hyrat vetjake kanë ndikuar më së shumti participimet e qytetarëve, pagesat e taksave të ndryshme ndaj komunës etj.”, ka thënë Sadiku.