Aktuale
MSU Karabinieri përfundon projektin e renovimit të Shtëpisë së Paqes në Bec
Kontingjenti MSU Karabinieri në Prishtinë, përmes Team Cimic (bashkëpunimi ushtarak civil), sot në Bec të Gjakovës, ka përfunduar projektin e rëndësishëm të ristrukturimit të sistemit të ngrohjes të institutit parashkollor Shtëpia e Paqes, të menaxhuar nga rendi i murgeshave basiliane.
Projekti i përgjigjet kërkesës specifike të shkollës, ku janë të pranuar rreth pesëdhjetë fëmijë pa dallim religjioni e etnie.
Puna e rinovimit përfshinte sistemin e ngrohjes së institutit, me zëvendësimin e radiatorëve të ndryshëm dhe përbërësve tjerë të nevojshëm për funksionimin e tij.

“Me këtë ngjarje ne synojmë të konsolidojmë dhe ringjallim frymën e vëllazërimit dhe bashkëpunimit aktiv midis forcave të vendosura nga MSU Carabinieri dhe të gjithë kontingjentet si KFOR dhe NATO dhe popullatës së Kosovës, për të garantuar mbështetje adekuate për zonën lokale, institucione që kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, duke filluar me të rinjtë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë ceremoni mori pjesë komandanti i Regjimentit të karabinierëve MSU (njësia speciale multinacionale) kolonel Ruggiero Capodivento, përfaqësues të regjimentit, skuadra Cimic që ka ndjekur zhvillimin e punëve, stafi i institutit, banorë lokalë dhe nxënësit e vegjël.

Vlera e donacionit është rreth 4000 euro, financuar nga C.O.I. nga Roma brenda kornizës së Masterplanit 2019.



