Connect with us

Aktuale

Projekti i studentes Arita Dreshaj u përzgjodh ndër më të mirët në Akademinë Gjermane

Published

on

Sa herë do të merret në duar libri që do t’i kushtohet 100 vjetorit të themelimit të Akademisë së famshme gjermane “Bauhaus”, në faqet e tij do të jetë gjithmonë edhe njëri nga projektet e një vajze të re nga Kosova, studente e Universitetit të Prishtinës.

Arita Dreshaj, studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, u nominua për projektin më të mirë të vitit në nivelin master e në mesin e qindra studentëve të tjerë u radhit e katërta.

Ajo tregon se si një vendim që ajo e mori doli të jetë hapi më i rëndësishëm, që ajo e kishte bërë deri atëherë në jetën e saj.

“Në mars të këtij viti u bëra pjesë e programit Erasmus+, si exchange student në Institutin e Arkitekturës në Dessau. Këtë shkëmbim e ka mundësuar Universiteti i Prishtinës, vendimi për tu bërë pjesë e këtij programi doli të jetë hapi më i rëndësishëm në karrierën time.
Në një shkollë prestigjioze Gjermane e cila ndërtoi historinë e arkitekturës qysh nga vitet 1919, kisha nderin të nominohem për projektin më të mirë të vitit në nivelin Master, në mesin e qindra studentëve nga 33 vende të ndryshme të botës”, tregon Dreshaj për Ndërtimi.info.

Ajo rrëfen se si sivjet ishte hera e parë që u nominuan edhe studentët me program shkëmbyes si kandidatë për çmimin e vitit në këtë akademi. E kjo ndodhi pas kërkesës së arkitektëve të rëndësishëm nga Gjermania, të cilët e përbënin jurinë, për përzgjedhjen e projektit.

Pas kësaj Dreshaj tregon ndjesinë që kishte derisa e paraqiste projektin e saj para arkitektëve profesionistë dhe botimin e tij në librin e vitit të Universitetit DIA.

“Sa herë që këta arkitektë përballë meje tundnin kokën për argumentet e mia, për secilën duartrokitje të tyre i falënderohem Universitetit të Prishtinës ku edhe kam marrë bazën si studente e arkitekturës.
Fakti që projekti im do të publikohet në librin e vitit të Universitetit DIA, e bën të paharrueshëm këtë nominim. Këtë vit libri do ti kushtohet 100 vjetorit të themelimit të akademisë Bauhaus. Jam e lumtur që në një libër me kaq rëndësi do të shkruhet për një emër nga Kosova”, rrëfen Arita Dreshaj.

Studentja e nominuar shpjegon projektin e saj, cili do të jetë një “Qendër për Mësim” në Berlin e që do t’i përshtatet ritmit të arkitekturës së qytetit dhe linjave topografike të terrenit.

“Projekti është një Learning Center me lokacion në Berlin. Nga një qytet urban kubik, në një parcelë trekëndëshe, zgjodha të përdor kubet si formë në tërësi ndërsa organizimi i funksionit të jetë i shtrirë në 45 shkallë. Kështu, njëkohësisht objekti përfiton në dritë dielli, fasadat përcjellin ritmin e ndërtesave ekzistuese dhe linjave topografike të terrenit”, shpjegon Dreshaj.

Për Aritën ky nuk ishte projekti i parë, për të cilin ka marrë fjalë të mira. Në kohën sa ishte studente e vitit të dytë e Arkitekturës në UP, kishte paraqitur një projekt ideor për të transformuar objektin prapa shtatores së heroit Zahir Pajaziti, për t’i sjellë kryeqytetit frymë të re dhe për t’iu përshtatur gjallërisë së tij. Projekt ky që sipas saj u pëlqye si nga stafi akademik ashtu edhe institucionet publike.

 

 

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending