Connect with us

Aktuale

Ja si i pastrojnë paratë e pista politikanët e Kosovës

Published

on

Shuma të mëdha parash edhe më tutje vazhdojnë të shpërlahen në vendin tonë nga politikanet dhe personat e lidhur me ta. Në një raport të siguruar nga Front Online, e i cili është përpiluar më herët nga Inteligjenca financiare nxjerr në pah skemat se si politikanet pastrojnë parat përmes bizneseve të ndryshme, investimeve në patundshmëri, kredive, por edhe transfereve të mjeteve nga shtete të ndryshme të botës.

Blejnë pasuri me fonde pa origjinë

Në raportin e Inteligjencës thuhet se NJIF-ja u informua për transaksionin e pasurive të paluajtshme të një të identifikuar në raportin e saj si personi Y, i punësuar si drejtor në administratën publike.

Vlera e pronës ishte 150.000 euro dhe pagesa e kësteve u bë me fonde të deklaruara si kursime personale dhe të dhurata nga prindërit dhe nuk u kanalizuan përmes sistemit bankar.

Por, analiza të mëtejme të informacionit të mbledhur nga burime të shumta, lidhjet familjare dhe aktiviteti i tyre treguan se: Ata nuk kishin qarkulluar me fonde të tilla në llogaritë e tyre bankare. Gjithnjë duke u bazuar në raportin në fjalë thuhet se vëllai i personit Y kishte blerë aksione të kompanisë L në vlerë prej 100.000 eurosh, ndërsa kontratat e noterizuara treguan se vlera reale e tyre ishte pothuajse dyfishi i shumës. Ky transaksion i shtoi edhe më shumë dyshimet, duke marrë parasysh faktin se shitësi (personi G) kishte paguar rreth 300.000 euro për ta dhe i shiti ato më pas për një shumë tejet më të ulët.

“NJIF-ja po ashtu u informua për abuzimin e pushtetit nga personi Y gjatë ushtrimit të funksioneve të tij në një sektor përgjegjës për licencimin dhe shfrytëzimin e lëndëve të para, me ç’rast ai kishte favorizuar një numër të subjekteve private. Përdorimi i anëtarëve të familjes dhe origjina e panjohur e fondeve të përdorura për blerjen e pronës së paluajtshme ishin treguesit kryesorë të konsideruar nga NJIF K në ndjekjen e hetimeve financiare për këtë rast. Një tjetër tregues interesant është blerja e aksioneve të nënvlerësuara nga një anëtar i familjes. Përveç trendit të perceptuar në raste të tjera, përdorimi i personave juridikë dhe shitja e aksioneve është një risi që tregon se PEP-i, duke përfshirë dhe anëtarët e tij të familjes, po shkojnë përtej skemave të njohura që janë parë zakonisht dhe përpiqen t’i mjegullojnë shtresat e ndërlidhjes/asociimit përmes mjeteve të ndryshme”, thuhet në raportin e NJIF-së.

Më shumë depozita se sa të hyra

Më tutje në raportin në fjalë thuhet se Njësia e Intelegjencës Financiare ka zbuluar një deponim që personi A e kishte bërë në llogarinë e tij personale bankare për ta paguar kredinë e tij. Shuma e deponuar ishte 62.000 euro dhe burimi i deklaruar i fondeve ishte huazimi nga persona të tjerë. Si rezultat i një serie masash të kujdesit të duhur subjekti raportues zbuloi se klienti i saj (personi A) ishte Person i Ekspozuar Politikisht (PEP). Gjatë rrjedhës së analizave të informacioneve NJIF-ja mori informata rreth pozicionit aktual të personit A në njërin nga institucionet e pavarura publike në Kosovë.

“Historiku i punësimit të personit A tregon se ai ka punuar për një kompani private dhe të ardhurat e tij mund të konsideroheshin si mesatare. Edhe pse personi A nuk ka deklaruar pranë autoriteteve tatimore të ardhura të tjera në 5 vjetët e fundit, ai ka vazhduar të kryejë deponime në llogarinë e tij bankare dhe këto deponime kryesisht kanë qenë nën pragun e raportimit të transaksioneve në para të gatshme”thuhet në raportn.

Aty më tutje thuhet se duke u bazuar në të dhënat e autoriteteve kadastrale, personi A nuk ka poseduar pronë në emrin e tij personal, ndërsa nga analizimi i të dhënave financiare nga NJIF K ka rezultuar që të ketë pranuar në llogarinë e tij mjete nga një person B në vlerë afërsisht 22.500 euro, me burimin e deklaruar të fondeve si “shitja e patundshmërisë”. Fondet e deponuara në llogarinë e tij u transferuan në kompaninë X nga personi A për blerjen e një banese në Prishtinë, me një çmim në total prej 80.000 eurosh. Personi A (PEP), “Company X”, “Company Y”, “Person B”, “Account 1”, “Bank FIU-K”, str “Financial Investigatio”, informacioni nga burimet e hapura tregon se personi B është pronar i një kompanie Y, që kishte marrë pjesë në një numër projektesh të prokurimit publik në Kosovë. Raportet e medieve gjithashtu i kishin theksuar lidhjet në mes të pronarit të kompanisë Y personit A dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në procedurat e prokurimit, raporton Front Online.

Pastrojnë para përmes shërbimeve të konsulencës

Më tutje në raportin e siguruar e i cili është përgaditur nga Njësia e Intelegjencës Financiare thuhet se një formë tjetër e pastrimit të parave është ajo përmes konsulencës.

Në rastin tjetër i publikuar në raportin e NJIF-së thuhet se personi Y ka qenë përfitues i dy transfereve ndërkombëtare dhe një transferi kombëtar në vlerë prej 62.200 eurosh. Informacioni nga burimet e hapura tregoi se vëllai i tij ishte deputet në vendin “X” dhe për këtë arsye është një anëtar i familjes së një PEP-i. Sipas Intetegjencës Financiare, më parë personi Y ka pranuar një transfer nga vendi “X” në shumën prej 10.000 eurosh dhe një pagesë në vlerë prej 32.000 eurosh nga një kosovar. “Përshkrimi i ofruar për transfertën ndërkombëtare ishte për kontrata të konsulencës dhe shërbimeve.

Pak ditë më vonë personi Y pranoi nga i njëjti vend një tjetër transfer në vlerën prej 20.000 eurosh. “Pas analizimit të mëtejshëm të informacionit NJIF-ja arriti në përfundimin se fondet e përdorura në transaksionet mes personave të përfshirë mund ta kishin origjinën nga aktivitete të jashtëligjshme dhe informacioni u shpërnda spontanisht te partneri FIU në vendin ‘X’. Treguesi kryesor i përdorur nga NJIF-ja në këtë rast është përfshirja e një PEP-i të huaj dhe hetimi financiar ka synuar të vendosë lidhjen në mes të të ardhurave të krijuara në një juridiksion të huaj dhe përpjekjeve për ta kryer procesin e shtresimit dhe integrimit në Kosovë”, thuhet në raportin e Inteligjencës Financiare të Kosovës.

Sipas NJIF-së, përdorimi i një komponenti ndërkombëtar tregon se PEP-at gjithnjë e më shumë po mbështeten në transaksione me juridiksionet e huaja, në mënyrë që të sigurojnë një mbulim të legjitimitetit për të ardhurat e tyre. “Shërbimet e konsulencës paraqesin një tipar të ri në këtë rast dhe janë në përputhje me shumë tipologji të PP-së dhe tregues të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në raport.

Përdorimi i kredive nga Persona të Ekspozuar Politikisht (PEP)

Në raportin mbi tipologjitë e shpëlarjes së parave të publikuar të enjten nga Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) thuhet se një subjekt raportues ka paraqitur në NJIF një raport të transaksioneve të dyshimta, duke përfshirë informacione financiare rreth një personi të ekspozuar politikisht (PEP), i paraqitur në raport si personi B. Në raport më tutje thuhet se në qendër të informacionit të raportuar është një kredi bankare në emër të një personit të identifikuar si A, që është pronar i dy bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vend.

Po ashtu edhe personi B është bashkëpronar në njërën prej tyre. “Kredia është përdorur për kryerjen e pagesave që lidhen me punën që kryhet nga personi A në një pronë në zotërim të personit B. Në funksion të analizës së mëtejshme të informacionit NJIF kërkoi të dhëna shtesë nga subjektet raportuese, nga të cilat rezultoi se personi A kishte marrë tetë kredi në total, të cilat ishin paguar ende pa përfunduar pagesa e kredisë së mëparshme. Vlera e kredive të përdorura nga personi A ishte mbi 200.000 euro, ndërsa totali i kredive ishte rreth 3.000.000 euro dhe qartazi tejkalonin aftësitë financiare të personit B”, thuhet në raport. Aty më tutje thuhet se në disa prej kredive rezultoi që personi B dhe një i afërm i tij ishin bashkënënshkrues dhe kështu e garantonin pagesën e tyre

Të dhënat e marra nga NJIF-ja përfshinin gjithashtu një sërë transaksionesh financiare mes personit A dhe B (në formën e huadhënies) dhe tri raste të blerjes së parcelave të mëdha të tokës të cilat do të shërbenin për investime në projekte ndërtimesh. “Transaksionet financiare të personit A realizohen kryesisht nëpërmjet llogarive të tij personale bankare. Llogaritë bankare që lidhen me aktivitetin e biznesit të tij e tregojnë një nivel të konsiderueshëm të aktivitetit që përfshin transfertat e personit B, si dhe pagesa në formën e subvencioneve nga fondet publike, ku në pagesën e tyre kishte influencuar B.

Nga analizimi i mëtejshëm i informacionit nga NJIF K rezultoi se kreditë marra për kryerjen e punimeve në pronën e personit B janë paguar nga personi A kryesisht përmes llogarive të tij të biznesit”, thuhet në raport.

Përfshirja e anëtarëve të familjes në pastrimin e të ardhurave

Më tutje në raport thuhet se NJIF K u informua nga një subjekt raportues në lidhje me dyshimet për aktivitet të paligjshëm dhe shpërdorim të detyrës nga personi A në kohën kur ai ishte drejtor i një institucioni publik. Analizimi i mëtejmë i informacionit financiar në lidhje me këtë person tregoi se ai e kishte kryer një transaksion bankar në një vlerë të konsiderueshme, si dhe kishte bërë përdorim të shpeshtë të kartave të kreditit, gjëra që shërbyen si tregues për një stil të lartë jetese, që ishte qartazi larg mjeteve dhe mundësive të personit dhe familjes së tij. Anëtarët e ngushtë të familjes (babai dhe vëllezërit) të personit A ishin aksionarë të kompanisë C, që zotëronte prona të patundshme me vlerë të lartë.

Në vitet e para pas themelimit të kompanisë aksionarët kishin realizuar investime të konsiderueshme, edhe pse fitimet e kompanisë kishin qenë mjaft modeste. Përkundër faktit se personi B nuk ishte drejtpërdrejt i përfshirë në veprimtarinë e kompanisë, u konkludua se investimet e rëndësishme në patundshmëri u financuan përmes fitimeve të jashtëligjshme të fituara përmes praktikave korruptive që B i kishte kryer gjatë ushtrimit të detyrës së tij publike.

“Treguesit primarë për NJIF K ishin për PEP-in dhe lidhjet potenciale me abuzimin e pushtetit dhe nivelin e stilit të jetesës që i tejkalonte qartazi mjetet e ligjshme financiare në dispozicion. Për më tepër, investimet e konsiderueshme në pasuri të paluajtshme nga ana e anëtarëve të familjes ishin gjithashtu subjekt i analizës financiare që tregoi se nuk mund të justifikoheshin nga burimet e njohura të të hyrave dhe të fitimeve. Ky rast tregon edhe një trend të përfshirjes së anëtarëve të familjes në procesin e pastrimit, ndërkohë që përpjekja e PEP-it për t’u distancuar nga investimet e konsiderueshme në pasuri të paluajtshme, si dhe përdorimi i kartelave të kreditit për ta mbështetur një stil ekstravagant jetese janë një risi”, thuhet në raportin e NJIF-së.

Depozitimet e pazakonta dhe strukturimi i transaksioneve

Një subjekt raportues paraqiti në NJIF një raport të transaksionit të dyshimtë për personin juridik X, xhirollogaria e të cilit po përdorej për kryerjen brenda një kohe të shkurtër të transaksioneve të shumta nën pragun ligjor të raportimit. Vlera totale e këtyre transaksioneve arrin vlerën rreth 1 milion euro. Struktura aksionare e personit X përbëhej nga tre bashkëpronarë, personin A (që ishte dhe PEP), B dhe C.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë rast ishin pjesë e një dosjeje të mëhershme hetimi nga Policia që lidhej me përfshirjen e tyre në veprën penale të “Pastrimit të parave”. Kjo gjë krijoi bazën për dyshime të arsyeshme në lidhje me prejardhjen e jashtëligjshme të fondeve të përdorura në transaksionet e lartpërmendura të raportuara te NJIK-ja.

Vlerat e transaksioneve nën pragun e raportimit ishin një tregues tjetër i përpjekjeve të personave të përfshirë për ta fshehur burimin e fondeve dhe për t’iu shmangur detyrimit ligjor të subjekteve raportuese për raportimin e transaksioneve në para të gatshme

Nga analiza e mëtejme e rastit NJIF-ja konkludoi se personat A, B dhe C në cilësinë e tyre si bashkëpronarë të kompanisë X me qëllim të fshehjes së origjinës së jashtëligjshme të fondeve, duke u munduar që t’i paraqesin ato si të ardhura të ligjshme që kishin si destinacion blerjen e pasurive të patundshme.

Treguesit, një kombinim i strukturimit të deponimeve dhe natyra e tyre e pazakontë konsiderohen si treguesit kryesorë të NJIF K për analizën e mëtejme të dorëzuara nga subjektet raportuese. Informacioni për një hetim të kryer nga Policia shërbeu si bazë për të vërtetuar më tej nivelin e dyshimit për origjinën e fondeve të përdorura nga PEP-i dhe personat e tjerë të lidhur.

“Ndërthurja e fondeve të një origjine të jashtëligjshme me ato të krijuara përmes veprimtarisë legjitime të biznesit është një veçori e këtij rasti që dominon në shumë raste të pastrimit të parave nëpër botë. Treguesit e këtij rasti duhet të përdoren nga subjektet raportuese për zhvillimin e mëtejmë të profilit të tyre të rrezikut të klientëve të tyre PEP dhe për identifikimin e një sërë instrumentesh dhe kanalesh të shpërndarjes të përdorura në faza të ndryshme të pastrimit të parave. Aftësia e NJIF K për të vazhduar mbi bazën e RTD-ve të dorëzuara nga subjektet raportuese dhe për të ofruar vlerë shtesë për punën ekzistuese hetimore të kryer nga Policia përbën një shembull të mirë të rolit që inteligjenca financiare ka në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme”, thuhet në raport.

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending