Aktuale
Zyrtarisht fillon kampanja për legalizim të objekteve pa leje
MMPH-ja ka lansuar kampanjën për legalizimin e ndërtimeve pa leje “ Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë”, me qëllim të njoftimit të qytetarëve dhe kryetarëve të komunave me procedurat adminsitrative për legalizimin e objekteve pa leje.
Ministri Fatmir Matoshi, tha se në procesin e legalizimit të 352 mijë ndërtimeve pa leje do të aplikohen taksa më të mira.
“Në procesin e ndërtimit pa leje do të aplikohen taksa më të mira. Ju ftoj që këtë fushatë ta mbështetni që t’u krijojmë mundësi që të legalizohen ndërtimet dhe të trajtohen ato”, tha ai.
Taksa për legalizim për shtëpi është një euro për metër katror, për objektet e kategorisë së dytë është dy euro për metër katror dhe taksa për legalizim për ndërhyrjet pa leje në ndërtesat me leje është dy euro për metër katror.
Servet Spahiu, nga Departamenti për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim tregoi se pse deri tani nuk ka pasur sukses për legalizim të objekteve.
“Taksat kanë qenë të larta e ndoshta edhe komunat nuk kanë mundur të procedojnë”, tha ai.
Ai tha se ndër aktivitetet e MMPH-së është organizmi i 6 punëtorive rajonale për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke filluar nga 10 shtatori.
MMPH-ja ka konsideuar se ndër veprimet për të pasur sukses në procesin e legalizimit është edhe vullneti politik dhe caktimi i legalizimit si prioritet nacional, përfshirja aktive e institucioneve tjera dhe alokimi i burimeve të mjaftueshmë njerëzore dhe financiare./Ndertimi.info