Aktuale
Shteti edhe sivjet dështon në mbrojtjen e përhershme të monumenteve
Janë 1 595 asete të trashëgimisë kulturore të cilave shteti do t’ua zgjasë edhe për një vit mbrojtjen e përkohshme. As sivjet, asnjë monument nuk do t’i shtohet a hiqet Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme, e cila mbetet me 23 monumente prejse u shpall më 2016, e për të cilën u prit 17 vite.
Në ditën e 10-të të tetorit, ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, do t’ia zgjasë afatin edhe për një vit Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithëse mundësia ligjore për vazhdimin e afatit të kësaj Liste për monumentet e njëjta është e kontestuar, MKRS-ja këtë do ta bëjë për herë të tetë, përndryshe nuk do të ketë mbrojtje formale për trashëgiminë kulturore.
Puna e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore është paralizuar qysh nga korriku i vitit të kaluar, kur anëtarëve të këtij organi u ka skaduar mandati trevjeçar. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, ky organ vlerëson nëse një monument duhet të gëzojë mbrojte të përhershme.
Realisht KKTK-ja qysh prej themelimit, më 2009, nuk kishte përbërje të plotë deri në vitin 2015. E në korrik të vitit 2015 ishin emëruar shtatë anëtarët e këtij organi në kuadër të fushatës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Për tre vjet punë anëtarët krejt çfarë kishin bërë ishte vendimi për shpalljen e 23 aseteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme.
Samir Hoxha, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, ka thënë se do të respektojnë afatin ligjor për ripërtëritjen e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.