Aktuale
KDI paraqet problemet e qytetarëve të Dragashit, ujësjellësi mbetet primar
Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar katalogun e çështjeve për komunën e Dragashit, që përfshinë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe bën prioritizimin e disa çështjeve esenciale që duhet të përfshihen në planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2020.
Pas një hulumtimi në terren, KDI në këtë komunë ka identifikuar probleme në infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit, furnizimin me ujë të pijes, transport publik, gjendjen e shkollave, menaxhimin e mbeturinave, çerdhet publike dhe shërbimet shëndetësore, njofton Klan Kosova.
“Çështja e ujit të pijes paraqet problem të madh në komunën e Dragashit, problemet janë të theksuara ne pjesën dërrmuese të fshatrave. Sasia e pamjaftueshme e ujit, reduktime të shpeshta sidomos gjatë sezonës së verës, cilësia e dobët e ujit janë probleme me të cilat ballafaqohen banorët”.
“Çështja e mbeturinave po ashtu paraqet problem për banorët e fshatrave të Dragashit. Ndërsa pjesa më e prekur dhe më e ndotur nga mbeturinat, mbeten fshatrat e pjesës së Gorës të komunës së Dragashit (Mlijke, Ljeshtane, Radeshë, Kukaljane), hudhjet bëhën në afërsi, hyrje – dalje të fshatrave dhe vendbanimeve sikurse edhe në lumë”.
Të gjitha detajet lidhur me këto problematika në Komunën e Dragashit, mund t’i gjeni në katalogun e bashkëngjitur në vijim, ndërsa në ditën në vazhdim, KDI do të publikojë katalogun e 7 komunave tjera të hulumtuara.
Katalogu i çështjeve është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2019. Përgjatë kësaj periudhe kohore janë vizituar gjithsej 275 vendbanime (fshatra/ lagje). KDI thotë se qëllimi i këtij katalogu është që ta rrisë vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në konsultime publike me zyrtarët komunalë.