Aktuale
AKP: Nëse punimet në RTP bien ndesh me standardet, objekti do të kthehet në gjendjen e mëparshme
Punimet në fasadën e jashtme të cilat kanë filluar në ndërtesën e ish-Radio Televizionit të Prishtinës kanë nxitur reagime të shumta, sidomos nga arkitektët, sipas të cilëve ky veprim është duke e “shkatërruar dhe tjetërsuar” ndërtesën ikonike të RTP-së, e cila u ndërtua në kohën kur Kosova po i ngrinte institucionet e saj.
Fajin për këtë “shpërfytyrim” ua hedhin Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Komunës së Prishtinës që kanë dhënë leje për tu kryer këto punime, meqë kjo pronë është dhënë me qira për shfrytëzim nga AKP-ja.
Nga Agjencioni Kosovarë i Privatizmit për Ndërtimi.info kanë thënë se në kontratën e qirasë është paraparë që në rast se punimet janë të domosdoshme në objekt atëherë janë të lejuara, që qiramarrësi të vazhdojë punën.
“Kjo hapësirë ka qenë e pashfrytëzueshme dhe qiramarrësit i është dashur të kryej punime rinovuese, restaurim me qëllim të funksionalizimit të hapësirave për t’i shfrytëzuar për nevojat e zyrës. Çdo renovim që kryhet i nënshtrohet dispozitave apo kushteve të veçanta të parapara në kontratën e qirasë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
AKP-ja kanë shtuar se përveç kushteve të kontratës, leja për këto punime duhet të merret edhe nga Drejtoria e Urbanizmit. Mirëpo, kjo drejtori nuk është përgjigjur në për këtë çështje.
AKP ka theksuar që në rast se këto punime nuk përputhen me strukturën e objektit, ai do të kthehet në gjendjen që ka pasur përpara se të fillonin ato ndërhyrje.
“AKP është në kontakt me qiramarrësin dhe nëse konstatohet se është bërë ndonjë ndërhyrje që ndikon në ndryshimin strukturor të objektit, do të analizohet mirë bashkë edhe me organet kompetente dhe nëse këto punime bien ndesh me standardet e përcaktuara, objekti apo punimet e specifikuara do të kthehen në gjendje të mëparshme”, ka thënë AKP për Ndërtimi.info.
Por, hapi më i rëndësishëm për ruajtjen e këtij objekti e edhe objekteve të tjera që përfaqësojnë periudhën e modernizmit në Prishtinë nga shkatërrimi konsiderohet të jetë futja nën mbrojte e tyre duke u cilësuar si trashëgimi kulturore e Kosovës.
Arkitekti Arbër Sadiki ka thënë se prishja e këtyre objekteve është duke ndodhur për shkak të mosnjohjes nga institucionet vendore së vlerave që ato kane, por edhe për shkak të mungesës së gatishmërisë për t’i mbrojtur.
“Është për të ardhur keq që objektet e kësaj kategorie në vazhdimësi po shpërfytyrohen jo vetëm si rrjedhojë e mosnjohjes së vlerave të tyre nga ana e institucioneve vendore, por edhe si rrjedhojë e pasivitetit tonë për ti mbrojtur ato. Rrjedhimisht, kërkoj që të thërrasim ndërgjegjen gjithsecili prej nesh dhe të fillojmë të mbrojmë vlerat të cilat na përkasin të gjithëve”, ka thënë Sadiki.
Sipas Sadikit ndërtesa e RTP-së është objekt identifikues i Prishtinës, i cili përveç vlerave arkitekturore paraqet edhe vlerë historike sepse për dekada me radhë ka qenë simbol i fjalës shqipe në ish- Jugosllavi.
Ndërsa projektuesi Yll Rugova ka thënë së veprimet që janë duke ndodhur në ndërtesën e RTP-së duhet të ndalen nga inspekcionet shtetërore dhe ndërtesa duhet të jetë në mbrojtje si trashëgimi kulturore.
“Orkestra simfonike e RTP-së së bashku me korin, janë institucionet pararendëse të Filarmonisë së Kosovës, që së bashku me shkollën e muzikës në Prizren e Prishtinë kanë vënë themelet e muzikës klasike në Kosovë. Janë këto institucione që e krijojnë historinë më shumë se 70 vjeçare të muzikës klasike në Kosovë.
Përndryshe, kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës (kampus i projektuar nga Bashkim Fehmiu, vëllau i aktorit të madh Bekim Fehmiut), Pallati i Rinisë, Radio Prishtina me aneksin, Pallati i shtypit Rilindja, etj.”, ka shkruar Rugova.
Godina e Radio Televizionit të Prishtinës u ndërtua në vitin 1966 nga arkitekti slloven Oton Gaspari.
Së bashku me Bibliotekën Kombëtare, Institutin e Albanologjisë, Universitetin i Prishtinës, Pallatin e Rinisë, Radio Prishtinën me aneksin, Pallatin e shtypit Rilindja, e objekte të tjera I takojnë stilit arkitekturor brutalist.