Aktuale
Nga 2 shtatori do të lirohen trotuaret në Pejë

Policia e Kosovës në mbarë zonën e sigurisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Kosovës në Pejë do të merren me kontrollin, trajtimin dhe përmirësimin e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor, kontrollimin e të gjitha hapësirave të trotuareve në të gjitha qytetet e këtij rajoni.
Sipas Policisë plani veprues dhe parandalues i këtij operacioni që do të fillojë nga data 2 Shtator 2019 parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të parkimeve ilegale nëpër trotuare dhe pastrimin e trotuareve nga parkimet ilegale dhe uzurpimet nga shitësit ambulante.
Komuna e Pejës, konkretisht Drejtori i Drejtorisë për Punë Inspektuese, duke u bazuar në Rregulloren për Gjoba dhe Ngarkesa Komunale, Ligjin mbi Tregtinë e Brendshme, Ligjin për Kundërvajtje dhe Ligjin mbi Mbrojtjen e Konsumatorit, me qëllim të parandalimit të tregtisë jolojale, lirimit të hapësirave publike dhe qarkullimit të lire të qytetarëve, tashme ka njoftuar të gjitha subjektet afariste që bëjnë shitjen e mallit jashtë objekteve afariste, që tregtojnë nëpër hapësira publike, objekte montuese, tezga improvizuese dhe shitjen me kamioneta nëpër trotuare se deri më datën 29.08.2019 janë të obliguar t’i lirojnë përfundimisht ato hapësira.
Dislokimi me vetiniciativë dhe respektimi i këtij njoftimi do të evitonte edhe ndërmarrjen e masës së fundit mbi ndalimin, konfiskimin dhe asgjësimin e mallit dhe sanksionet tjera të përcaktuara me ligj.
Policia do të asistojë me kërkesë të komunës për të gjitha rastet sipas kërkesës.
