Aktuale
“Masakrohet” Çarshia e Kaçanikut, rrënohen disa objekte të vjetra [foto]
Buldozerë e ekskavatorë kanë “pushtuar” qendrën e Kaçanikut të martën. Kanë hyrë në këtë pjesë për të bërë një ndryshim të madh. Një pjesë e objekteve të Çarshisë së Vjetër të Kaçanikut tashmë janë rrënuar.
Dyqanet njëkatëshe të zejtarëve që kufizoheshin me rrugën “Idriz Seferi”, që është e shtruar me kalldrëm, janë rrafshuar nga buldozerët e porositur nga Komuna, shkruan sot e pwrditshmja “Koha Ditore”. Përderisa për zyrtarët komunalë bëhet fjalë për një projekt në të mirë të qytetit, veprimi është parë edhe si fshirje e memories kolektive dhe humbje e identitetit të qytetit lindor të Kosovës.
Fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale paraqesin ekskavatorët derisa rrafshojnë objektet në hapësirën e vjetër të qytetit. Çajtore e dyqane berberësh, që ishin në pronë komunale, janë rrënuar nga Komuna pa pasur ende një projekt konkret për këtë zonë. Autoritetet komunale vlerësojnë se bëhet fjalë për objekte pa vlera. Jo pak prej tyre kanë qenë të braktisura.
Drejtori i Urbanizmit në këtë komunë, Ukshin Çallaku, ka thënë se shumica e objekteve të rrënuara nuk ishin të vjetra, por të ndërtuara gjatë viteve ’90.
Objektet e rrënuara e as Çarshia si tërësi nuk figurojnë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Sipas kësaj liste, shteti pos Teqesë së Musa Keqexhisë, mbron edhe Xhaminë e Sinan Pashës, Shkollën e Vjetër dhe Sallën e Kushtetutës së Kaçanikut.
Por pavarësisht kësaj, regjisori Ben Apolloni që vjen nga ky qytet ka thënë se me veprimin e fundit të autoriteteve komunale po shkatërrohet edhe ajo pjesë e trashëgimisë që ka mbetur./koha.net/