Aktuale
Sistemi mijëravjeçar i furnizimit me ujë në Durrës
Që prej 30 vitesh në qytetin antik nuk është ruajtur asnjë monument madhor i zbuluar, si amfiteatri apo mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”.
Brikena Shkodra që nga viti 2015 ka kryer disa studime në oborret e banesave të lagjes 11, por zbulimin e muajit të kaluar ajo e dallon nga të tjerët.
“Bëhet fjalë për lidhjen ende të pavërtetuar të një kompleksi të rëndësishëm termal me tubacionin – kanal mbitokësor që e furnizon me ujë atë”, tregon arkeologia për objektet e antikitetit të vonë që u gjetën në të dy anët e rrugës “Mustafa Varoshi”.
Sipas saj, zbulimet e fundit fillojnë të hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të qytetit, në shekullin e IV të erës sonë, kur Durrësi u caktua si kryeqendër e Epirit të Ri.
Njëlloj si më parë, Durrësi vijoi ta marrë ujin e pijshëm me tubacione të instaluara mbi ura nga lumi Erzen, pranë fshatit Rromanat, por sistemi i shpërndarjes brenda qytetit nuk shfrytëzon më tubacionet nëntokësore prej plumbi të vulosura që i përkasin periudhës romake.
Zbulimi i fundit i Shkodrës ka vërtetuar se pas reformave të perandorëve Dioklecian dhe Kostantin, qyteti e ka ndryshuar standardin urbanistik të furnizimit me ujë nëpër lagjet e tij.
Strukturat prej murature me gjysmëharqet prej tulle dhe llaç hidroizolues që u zbuluan në oborrin e familjes Mima, vetëm 200 metra prapa teatrit “Aleksandër Moisiu”mbanin mbi vete kanalin e dukshëm të ujit në një formë të re, të paaplikuar më parë.
Gjetjet në oborret e shtëpive dëshmojnë se jeta në këtë lagje ka vijuar pa ndalim për shumë shekuj, megjithë vështirësitë që krijonte rrëshqitja e kodrës pranë saj.
Familjet durrsake i kanë vënë në dispozicion oborret e shtëpive për sondazhet arkeologjike. /Dita/