Aktuale
Në zyrën e Haradinajt arrihet përfundimisht marrëveshja për shpronësim në Hade e Shipitullë
Pas takimeve të gjata që pati me ta dje dhe sot, kryeminsitri Ramush Haradinaj ka arritur që t’i bindë banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë, që shpronësimi të bëhet në të njëjtën mënyrë si shpronësimet e mëhershme në fshatin Hade.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdoi sot takimet me delegacionet e fshatrave Shipitullë dhe Hade, me të cilët një ditë më parë pati zhvilluar bisedat gjatë ditës deri në orët e vona të natës në Obiliq.
Kryeministri Haradinaj ka dëgjuar shqetësimet dhe problemet e delegacioneve të dy fshatrave të Komunës së Obiliqit për çështjen e shpronësimit të pronave të pasura me thëngjill, të domosdoshëm për furnizimin e rregullt të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në bisedë me delegacionet e të dyja fshatrave të Komunës së Obiliqit, kryeministri Haradinaj ka arritur pajtueshmërinë për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade.
Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo marrëveshje mundëson që eskavatorët e KEK-ut menjëherë të rinisin punën në mënyrë që të garantojë furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
Përveç kësaj Kosova mbi të gjitha përfiton, meqë një nga problemet e qytetarëve të saj është zgjidhur në harmoni të plotë me kërkesat e tyre.