Aktuale
Kundërshtohet që xhamia e re në Mazgit t’i ketë 4 minare
Në Mazgit të Obiliqit është duke u ndërtuar një xhami me katër minare. Mirëpo, nuk po shihet e arsyeshme që kjo xhami t’i ketë katër minare, ndërtimi i të cilave kushton mijëra euro.
Profesori i studimeve islame, Xhabir Hamiti po konsideron se ndërtimi i vetëm një minareje kap shifrën deri në 30 mijë euro, duke thënë se këto para do të mund të destinoheshin për shkolla dhe çerdhe.
Sipas tij, këto para, që për katër minare vlera shkon mbi 100 mijë euro, janë donacion, por për shoqërinë tonë destimi i tyre është shumë domethënës. Ai, ka konsideruar se me faltoret po bëhet biznes.
“Unë jam rritur me xhamia dhe xhamia është pjesë e jetës time, jo kjo xhami, por edhe asnjë faltore tjetër në botë nuk më pengon kur ajo është e domosdoshme për një komunitet të caktuar fetar. Por, ajo që më ka penguar dhe më pengon është biznesi i disa mësitëve vendor me faltore, si dhe loja me ndenja te besimtarëve te rendomte e te sinqert te vendit tone. Sigurisht, me rastin e kësaj xhamie, mësitët vendor milionerit mysliman i kane thene se, ne kete xhami po e ndertojme bashke me keto minare spektatulare mu ne kryqezimin e dy autostradave, si dhe ne vendin ku eshte zhvilluar beteja e Kosoves, e cila keshtu do ti kenaq syte e besimtareve dhe do ti mërrol fytyrat e pabesimtareve”, ka shkruara Hamiti, ndër të tjera.
Reagimi i plotë:
Një minare e vjetër dhe një e re do t’ia kalojë të vjetrës në fshatin Mazgit të Obliqit, ndërsa edhe tri të tjera janë nisur që të lëshojnë shtatin e tyre. Sipas projektueseve, një minare e tillë kushton nga 25.000 deri në 30.000 Euro, së paku.
Nëse këto 4 minare të kësaj xhamie përfundojnë, i bie se shuma totale arrin mbi 100.000 Euro.
Paratë e këtyre minareve, sigurisht se janë fituar nga donatorët e jashtëm përmes mësitëve lokal.
Ne Islam, xhami numërohet çdo vendlutje qoftë edhe pa minare. Bile, në kohen e Muhammedit a.s. xhamia ka qenë edhe pa asnjë minare, megjithatë sot një xhami nuk mund të paramendohet pa e pasur së paku një minare, e që është krejt në rregull dhe personalisht jam i mendimit që xhamia estetikisht duhet të ketë një ose dy minare, varësisht nga madhësia e saj dhe e vendit ku ajo pozicionohet.
Por, për një milioner kushdo qoftë ai, totali prej 100.000 Euro nuk është gjë e madhe, mirëpo për neve si shoqëri ekonomikisht e shtrirë për toke, destinimi i kësaj shume është shumë domethënës.
Unë jam rritur me xhamia, dhe xhamia është pjese e jetës time, dhe jo kjo xhami, por edhe asnjë faltore tjetër në botë nuk më pengon kur ajo është e domosdoshme për një komunitet të caktuar fetar.
Por, ajo që më ka penguar dhe më pengon është biznesi i disa mësitëve vendor me faltore, si dhe loja me ndenja të besimtarëve të rëndomte e të sinqertë të vendit tonë.
Sigurisht, me rastin e kësaj xhamie, mësitët vendor milionerit mysliman i kanë thënë se, ne këtë xhami po e ndërtojmë bashkë me këto minare spektatulare mu në kryqëzimin e dy autostradave, si dhe ne vendin ku është zhvilluar beteja e Kosovës, e cila kështu do t’i kënaq sytë e besimtarëve dhe do t’i mërrol fytyrat e pa besimtarëve !!!
Sikur kjo xhami të mjaftonte me një ose dy minare, në këtë rast do të kurseheshin së paku 70 deri ne 80 mije Euro, dhe me këtë shumë do të pajiseshin së paku 4-5 shkolla me kompjuterë apo laboratorë shkencor të nivelit bashkëkohor, ose edhe do të ndërtohej së paku një çerdhe funksionale, ku fëmijët e këtij rrethi do të edukoheshin në të, e jo të bredhin rrugëve siç ndodhë rendomë nëpër fshatrat tonë!
E di se, prapë dikush ka me thëne; shih këtë po e pengojnë xhamitë dhe minaret, mirëpo ju siguroj se kushdo qe e thotë këtë, thjeshtë mund të paragjykojë emocionalit dhe jo racionalisht, sepse askujt dhe me asgjë nuk ia jap të drejtën që të pretendojë se është më besimtar dhe më i devotshëm se unë, e as patriot më i madh se unë.
Nuk do të ketë hajr dhe bereqet te asnjë faltoreje, derisa ne ato nuk i ndërtojmë vet me djersen dhe paranë tone.
Faltoret me porosi, me përjashtime janë kryesisht dardhe me bisht !