Featured
Askush nuk interesohet që ta ndërtojë urën e fshatit Ceceli në Vushtrri
Komuna e Vushtrrisë kishte marrë vendim për rregullimin e urës në fshatin Ceceli, madje ishte hapur edhe afati për pranimin e tenderëve. Mirëpo, ky fshat edhe për një kohë do të ketë probleme me urën, pasi asnjë kompani nuk ka treguar interesim për rregullimin e saj, shkruan Ndërtimi.info.
Pas që nga data 4 shtator 2017, kur u bë njoftimi për kontratë, nuk u pranua asnjë tender, Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar për anulim e aktivitetit të prokurimit në lidhje me këtë kontratë.
Në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, përveç mos pranimit të asnjë oferte për këtë kontratë, thuhet se arsye e anulimit të prokurimit publik është edhe se një shkelje e LPP-se ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit.
E, nëse ndonjë kompani do të tregonte interesim për kontratë, atëherë do të kryente punë përgatitore, punë të gërmimit, transportit të materialeve dhe të ngjashme, punë ndërtimore dhe punë të betonimit të urës, sipas kushteve dhe specifikave teknike të dhëna në dosjen e tenderit.