Featured
Prishtinasit ankohen për pasiguri gjatë punimeve në ndërtesa kolektive
Një ndërtues e ka siguruar vinçin në një mënyrë të çuditshme në një objekt për ndërtimin e sipërm të Prishtinës.
Të shqetësuar nga këto ndërtime dhe pasiguria gjatë punës, shprehën edhe banorët e kryeqytetit, raporton KTV.
Sipas tyre, mossigurimi i objekteve vazhdon të ndodhë, dhe ndërtimi i tyre afër rrugës për këmbësorë po ua rrezikon lëvizjen e lirë.
Në përgjithësi sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet njëri prej sektorëve më të rrezikshëm.
Ky sektor, edhe më tutje vazhdon të jetë i rrezikshëm për punëtorët, meqë ka pasur dhe vazhdon të ketë aksidente gjatë punës.
Nga zyra e inspektoratit të punës, thonë se edhe pse aksidentet në sektorin e ndërtimtarisë vazhdojnë të ndodhin ndonëse shqetësuese, numri i tyre është zvogëluar.
Shkak i këtyre aksidenteve, Valon Leci – U.D. Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, thotë se janë mossigurimi i mjeteve elementare për punë nga kompani të ndryshme ndërtuese.
Derisa shtoi se ndaj të gjitha kompanive që nuk posedojnë mjetet e nevojshme për sigurimin e punëtorëve dhe objekteve punuese, do të merren masa ndëshkuese.
Por, sipas Adonis Tahirit drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, problemi kryesor qëndron tek numri i vogël i inspektorëve.
Sipas Tahirit, fajtor kryesor për këtë, sidomos për sektorin e ndërtimit në Prishtinë, mbeten rastet e pazgjidhura në gjykatë të inspektorëve të mëhershëm.
Sipas dokumenteve publike të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë, vetëm gjatë vitit 2019 janë lëshuar gjithsej 86 leje ndërtimi për kompani ndërtuese, në lagjet e Prishtinës.