Aktuale
Njihuni me studion kosovare “BVG”, e cila po bën bujë nëpër shumë vende të botës
Metoda e ndërtimit të shtëpive nëpërmjet “CLT-s” (cross laminated timber) drurit të përpunuar, nuk është shumë e pranishme në Kosovë, por një familje kosovare është bërë e njohur në botë për realizimin e projekteve të tilla.
Fjala është për familjen Behxheti nga Kosova e cila tash e sa kohë po qëndron në Finlandë, ku edhe kanë krijuar studion e quajtur “BVG”, në krye të së cilës janë Blerimi, Vjosa dhe Genti, prej nga edhe e ka marrë emrin.
Kjo studio fillimisht ishte krijuar nga Lulëzim Behxheti, në vitin 1997 ku punë parësore ka pasur ndërtimet dhe njihej si “BVG Invest”, ndërkohë në vitin 2012 kjo studio ka filluar të ndjekë një rrugë më të pashkelur, duke bërë kështu projekte “CLT”.
Për këto projekte Lulëzim Behxheti tregon se ka interesim nga vendet e ndryshme si Zvicra, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Suedia, Norvegjia e Finlanda e deri në Kanadë.
E projekti “VJOSA65H” , është projekti i parë me të cilin studio “BVG”, do të marr pjesë në Panairin Vjetorë të Strehimit, që mbahet në Finlandë, në qytetin Kouvola, nga 12 korriku e deri më 11 gusht të këtij viti, e që është ndër ngjarjet më madhore për ndërtim dhe modelim të brendshëm.
Sipas Behxhetit, projektet e kësaj studioje janë unike për shkak se kombinojnë skandinavianen me jetesën bashkëkohore.
Ai tregoi edhe për mënyrën se si ndërtohen shtëpitë përmes metodës së “CLT”-së.
“Jemi të veçantë ngase dizajni ynë është kommbinim i ‘scandinavien’ dhe ‘contemporary living’. Gjithashtu koncepti ynë është në eco-living. Në shtëpitë tona përdorim vetëm material të renovuar natyror nga druri dhe produktet drurit. Ndërtimi i shtëpive tona bëhet nga druri ‘CLT- cross laminated timber’. Kjo do të thotë se copat nga druri janë ngjitur në kryqëzim me njëri-tjetrin dhe kështu fitohet një material nga druri tejet i fortë”, bën të ditur ai.
Sipas tij “dobitë e kësaj metodeje janë se është absolutisht i paprekshëm nga flaka, pra nuk digjet, nuk emeton fare CO2, është antialergjik, i rekomandueshëm për personat me sëmundje të frymëmarrjes. Poashtu në shtëpi, përmes kësaj metodeje ajri është çdo herë i pastër dhe ka edhe shumë benifite tjera”.
Ai thotë se “Ndërtimet me ‘CLT’ janë shumë të shpejta, dhe se duhen 2 ditë për të qenë shtëpia e gatshme për banim.”
Behxheti ka rrëfyer edhe për projektin më inovativ “Vjosa65H” me të cilin do të marrin pjesë në “Finlands Housing Fair 2019”, e cila është ndërtuar në Katowice të Polonisë, ku kjo familje e ka edhe fabrikën e tyre.
“VJOSA 65H” është projekti ynë me të cilin jemi duke marr pjesë në “Finlands Housing Fair 2019”. Këtu e kemi të prezantuar ‘Vjosa 65H’, e cila ka 65 metra katorë hapësirë për jetesë. Ndërtimi i shtëpisë na ka marr kohë 33 ditë. E kemi ndërtuar në Katowice, në Poloni ku edhe e kemi fabrikën tonë. Ndërtimin e shtëpive e porosisim nga Çekia, nga prodhuesi më i mirë i ‘CLT’-së, është njëherësh edhe më i shtrenjti, mirëpo kualiteti është ai me të cilin ne mburremi. Poashtu e tëra mobileria fikse në shtëpitë tona është e dizajnuar dhe e prodhuar nga ne, të cilën e prodhojmë në Poloni”, ka theksuar ai.
Behxheti ka theksuar se kjo studio e tyre është e vetmja në botë që prodhon shtëpi modulare “CLT ready for living”.
Sipas tij, ky projekt është e ardhmja e ndërtimit urbanistik.
“Në “VJOSA 65H” i kemi 5 patente të lëshuara nga “WIPO”. Katër nga ato janë në ndërtim e njëri është ‘utility patent’. Me fjalë të tjera jemi të vetmit në botë që prodhojmë shtëpi modulare nga “CLT- ready for living”. “Vjosa 65H” ka kaluar një rrugë prej 1 mijë e 500 km nga Katowice deri në Kouvola, qyteti në Finlandë ku mbaret expo, dhe pas dy dite ishte e gatshme per banim. Falë mureve të jashtme të patentuara në shtëpitë tona nxemje të vetme përdorim nxemjen nga dyshemeja, ‘infrared heatting system’. Një teknologji e re e nxemjes, jemi të parët në Finlandë që përdorim këtë nxehje. Pra, kemi krijuar një produkt inovativ ngase shtëpitë tona janë e ardhmja e ndërtimit urbanistik, falë sistemit ‘eco-friendly’(eko-shoqëror), shpejtësia e ndërtimit dhe i tërë procesi i ndërtimit kryhen në ambiente të mbyllura dhe kontrollohen nga inxhinierët tanë”, thekson ai.
Behxheti tregon se “Ideja e prodhimit të shtëpive ka lindur në garazhen e shtëpisë në vitin 2012, kur së bashku me djemtë bëmë një minimodel, dhe nga aty për vite me radhë kam punuar në patentimin e modulit tonë”.
E veçoria e këtyre shtëpive modulare është se ato janë mobilije, pra si të banueshme, i tërë moduli mund te transportohet nga një vend në vendin tjerër, i tëri i mobiluar./Ndërtimi.info/