Aktuale
Shpend Ahmeti nuk shkon në tubim, banorët e “Matit 1” paralajmërojnë protestë para komunës
Ndërtesat inovative shumëkatëshe, që së fundmi i janë shtuar rrugës “Mati 1”, nuk po arrijnë t’i kamuflojnë problemet jetike me të cilat banorët e kësaj lagjeje tash e sa kohë përballen.
Rrugët me gropa, trotuaret e bllokuara nga veturat, mungesa e ndriçimit e telat e rrymës mbi kokat e banorëve, janë shqetësimet që po i bëjnë bashkë banorët në protestat që tash e disa herë po mbahen në këtë lagje, raporton Ndërtimi.info.
Protesta e fundit u mbajt më 8 korrik, por as ajo e as tubimi i mbajtur sot në shkollën “Pavarësia”, nuk po japin zgjidhje.
Zgjedhjen e këtyre problemeve tash e disa herë ata po e kërkojnë tek komuna, por nga kjo e fundit asnjëherë nuk po marrin përgjigjie.
Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë i kanë bërë ftesë publike kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, që të bashkohet në tubimin e tyre për të diskutuar për problemet e lagjes, por i njëjti nuk është paraqitur.
E ky injorim nga ana e kryetarit po i shtyen ata që të organizojnë një protestë para komunës.
“Ka ardhur koha që të organizojmë një tubim ose një protestë para komunës”, kështu është shprehur përfaqësuesi i banorëve të kësaj pjesë të kryeqytetit, Dren Shahini.
Ai ka thënë se protesta e tubime po mbahen shumë herë por që nuk po hasin tek ndonjë vesh i dëgjueshëm.
“Është e disata herë që kryetari nuk i përfill kërkesat tona. Ne i kemi dërguar kërkesë edhe me shkrim, edhe sot publikisht edhe nëpër portale gjithandej. Injorimi i tij ndaj nesh nuk e kuptoj dhe nuk di nga vije, përveç atij që e ka arsyen dhe ai është dashur të përgjigjet pse ky neglizhim ndaj lagjes tonë dhe pse ky injorim. Jemi lagjia më e madhe dhe me e banuar në Prishtinë, prej lagjes tonë vilen taksat më të mëdha, prej të cilave rritet buxheti i komunës, por prapë se prapë asnjë kërkesë e jona nuk po has në vesh të dëgjueshëm. Injorimi është i vazhdueshëm, arsyen për këtë çështje nuk e dimë”, u shpreh ai.
Tubimi i cili u mbajt pas një mujorit të protestës së organizuar nga banorët e kësaj lagjeje e ka gjetur sërish “Matin 1” në po të njëjtën gjendje me po të njëjtat probleme.
“Ky tubim po mbahet në vigjile të një mujorit të protestës që e kemi mbajtur ne si banorë. Prej atëherë askush nga organet komunale nuk e ka marrë të paktën mundin me organizu një tubim, si i takon. As atë tubim nuk e kanë organizuar e lëre më të vijnë e të zgjidhin ndonjërin prej problemeve. Problemet kanë vazhduar të njëjtat. Rruga është ende me gropa, pluhuri është poashtu i madh, telat janë mbi kokat tona, mungesë ndriçimi, mungesë të lirisë së lëvizjes. Trotuarin e kemi, por aty parkohen veturat dhe duhet nënat me karroca e njerëzit e moshuar me dalë në rrugë për të ecur. Poashtu ka pasiguri gjatë mbrëmjes për shkak të mungesës së ndriçimit, sulme nga qentë endacak e çka jo tjetër. Rrugicat janë të pashtruara, , asnjë proces për ndërtimin e ‘Rrugës A’ nuk ka filluar, e cila rrugë do ta funksionalizonte lagjen, do ta lironte atë, dhe probleme të tjera për të cilat është dashur që dikush prej kabinetit të kryetarit ose prej qeverisjes komunale të jetë prezent, edhe sonte këtu, por edhe ditëve të tjera”, ka theksuar Shahini.
Zgjidhjen e këtyre problemeve ai e sheh tek bashkëpunimi me komunën. Ai e konsideron të paarsyeshme pagesën e taksës komunale, e taksën rrugore kur çdo ditë iu duhet vet banorëve të investojnë në vetura, për shkak të problemeve infrastrukturore.
“Zgjidhja e problemit do të bëhej nëse ai do të vinte dhe do t’i dëgjonte problemet tona dhe të zotohet për zgjidhjen e tyre e jo vetëm t’i dëgjoj. Ka probleme që janë aq banale të cilat vetëm me një përkushtim ditor të kryetarit do të mund të zgjidheshin. Mandej edhe problemet e tjera të na tregoj saktësisht datat se kur do të përfundojë zgjidhja e tyre. Është e paarsyeshme që buxheti tash e 2-3 vite të kalojë në suficit me gjithë këto probleme që i kemi ne. Është e paarsyeshme që ne ta paguajmë taksën komunale, taksën rrugore, e që për çdo dite të investojmë në vetura tona për shkak të gropave dhe dëmtimit të rrugës, e rrjedhimisht të veturave”, potencoi ai.
Tutje Shahini tha se “jemi lagjia më e madhe dhe me e banuar në Prishtinë, prej lagjes tonë vilen taksat më të mëdha, prej të cilave rritet buxheti i komunës, por prapëseprapë asnjë kërkesë e jona nuk po has në vesh të dëgjueshëm”.
Tubimi i ardhshëm i banorëve do të mbahet më 2 shtator./Ndërtimi.info/