Aktuale
MIT: Ndalja e punës nga punonjësit e Aeroportit “Adem Jashari” e dëmshme

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka reaguar në lidhje më paralajmërimin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë për fillimin e protestave.
Ata kanë kërkuar nga drejtuesit e sindikatës dhe të aeroportit që t’i zgjidhin problemet me të cilat punëtorët janë të pakënaqur.
Sipas tyre ndalja e punës do të ishte e dëmshme. Këto qëndrime ua ka shprehur të dyja palëve, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, me të cilët kishte mbajtur takime të ndara.
“Konsiderojmë që është e dëmshme ndalja e punës nga ana e punonjësve të aeroportit, pikërisht në kohën e fluksit më të madh të udhëtarëve, veçanërisht diasporës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Gjithashtu sipas njoftimit, MIT i ka bërë thirrje konsorciumit “Limak”, që të respektojnë me përpikëri ligjet e Republikës së Kosovës dhe kontratën për koncesionimin e ANP “Adem Jashari”.
Punëtorët e Aeroportit “Adem Jashari” të udhëhequr nga Sindikata e Pavarur kanë paralajmëruar protestë duke e bllokuar punën për një orë, shkaku i pakënaqësive në trajtimin që u bëhet atyre.
Sipas Bashkim Latifit, kryetar i kësaj sindikate, ka pasur raste kur punëtorët janë gjobitur nga menaxhmenti me dhjetëra mijëra euro.
Kërkesat, që sipas tyre ia kanë bërë të ditur menaxhmentit, mes tjerash janë shtesat e rrezikshmërisë për detyra me ekspozim direkt në dëmtim të shëndetit, pushimi vjetor, eliminimin të dallimeve në paga si dhe shujta.
