Featured
Ngritet alarm për dëmtimin e Urës së Gurit në Prizren, për një instalacion
Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka ngritur shqetësim për dëmtimin e Urës së Gurit në Prizren, gjatë realizimit të një instalacioni.
Sipas kësaj organizate institucionet duhet të shqyrtojnë shqetësimin për dëmtimin e një pjese të Urës së Gurit
“Anëtarja e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit në rrjetet sociale publikisht ka ngritur shqetësimin për dëmtimin e një pjesë të Urës së Gurit, si pasojë e vendosjes së një instalacioni mbi këtë monument të trashëgimisë kulturore. EC Ma Ndryshe konsideron se institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore duhet ta shqyrtojnë me seriozitet këtë rast dhe të gjitha gjetjet t’iadresojnë në mënyrë ligjore sipas kompetencave të tyre, në mënyrë që të ruhet dhe mbrohet monumenti i Urës së Gurit”, thuhet në një reagim të Ec-it.
EC përkujton se Ura e Gurit në Prizren është monument i mbrojtur me ligj, që prej vitit 1948, për shkak të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë.
Përmes Prizrenit kalon lumi Lumbardh i cili e ndan qytetin në dy pjesë, pothuajse të barabarta. Mbi Lumbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit.
Ura e Gurit gjendet në qendrën e qytetit të vjetër. Në anën lindore të saj gjendet Ura e , ”Arastës”, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e , ”Naletit”. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit). Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar kah fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Ura e vjetër ishte triharkore, harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30m, ndërkaq e urës së tanishme është 17m. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m. Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103cm dhe lartësi 160cm. Gjerësia e trasesë është 4,20m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40cm që përcjellë nivelimin e saj dhe ka shërbyer vetëm për këmbësorë.
Në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet ‘60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963.
Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urë u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj.
Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë.