Aktuale
Në tre Botërorët e fundit janë shpenzuar 11 miliardë euro për ndërtimin e stadiumeve
Të organizosh një Botëror është një bast i rrezikshëm. Investimet që bëjnë vendet organizuese në infrastrukturë janë të pallogaritshme dhe në këmbim të kësaj presin njëkohësisht një “boom” turistik ku në një farë mënyre shpenzimet të kthehen mbrapsht.
Në tre Botërorët e fundit, në atë të Afrikës së Jugut, Brazilit dhe Rusisë, të tre shtetet konfirmuan se kanë pasur një rritje të të ardhurave sidomos në sektorin turistik.
Por, Afrika e Jugut shpenzoi 4 miliardë euro në ndërtimet e stadiumeve për ndeshjet e Botërorit të 2010 dhe iu deshën 6 vite për të nxjerrë shpenzimet. Brazilit i janë dashur 5 vite, ndërsa vetëm në Rusi u panë të ardhura të menjëhershme.
Pavarësisht këtyre shifrave, bilancet ekonomike të tre vendeve pas Botërorit nuk janë aq negative sa imazhi që shfaqin stadiumet.
Fusha drejt shkatërrimit dhe vende te braktisura. Të 34 stadiumet në të cilat u zhvilluan ndeshjet në këto 3 Botëror kanë kushtuar në total 11 miliardë e 165 milionë euro.
Rusia ishte shteti i cili pati përqindje më të madhe të tifozëve ne shkallët e stadiumit pas Kupës së Botës, përcjell Rtsh.
Stadiumet si “Maracana” apo “Luzhniki” kanë shifra të mira, por janë arena në të cilat luhen ndeshje ndërkombëtare. Në Afrikën e Jugut sporte të tjerë si regbi, atletik dhe cricket kanë bërë të mundur shpëtimin e stadiumeve nga shkatërrimi.



