Aktuale
Ferizaj pagoi dy herë për asfaltimin e rrugës së njëjtë
Ndër qeverisjet më të dobëta për vitin 2018, po konsiderohet ajo e kryetarit Agim Aliut, që udhëheq Komunën e Ferizajt.
Kështu po vlerëson organizata “Avonet”, e cila ka analizuar Raportin e Auditorit për këtë komunë, në punën e së cilës janë gjetur shumë parregullsi, raporton KTV.
Shfrytëzimi i pronës komunale me kontrata të skaduara apo me kontrata që nuk janë në përputhje me ligjin, mungesë të informatave në dosjet e tatimpaguesve, e mospërfshirje të punëtorëve të arsimit në listën e pagave dhe obligimet e paprezantuara të pagave, janë vetëm disa nga gjetjet në Raportin e Auditorit.
Për punën e dobët të Komunës, në “Avonet” thonë se kryetari Aliu po e keqpërdor paranë publike.
Në disa raste, në këtë raport thuhet se ka pasur mungesë të planit për menaxhim të kontratave, e në shumë prej tyre vonesa në liferim të mallit të blerë.
Komuna e Ferizajt, po ashtu, disa herë kishte bërë pagesa të projekteve nga buxhetet e projekteve tjera, derisa ka pasur mungesë të projekteve ekzekutive të ndërtimit.
Po ashtu, Auditori ka gjetur se ka pasur aneks të parregullt të kontratës-kornizë dhe pagesa të dyfishta për rrugë të njëjta.
Opozita në këtë komunë thotë se kryetari Aliu po dëshmon se haptas po e keqpërdor paranë publike, për të cilën duhet të japë përgjegjësi.
KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Komuna e Ferizajt në lidhje me raportin e Auditorit, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të televizionit.