Aktuale
Serbët i shitën shtëpitë që i ndërtoi shteti i Kosovës, presin të vendosen te ‘Lugina e Diellit’
Pothuajse asnjë familje serbe e zhvendosur në veri të Mitrovicës dhe në Serbi nuk ka shprehur vullnetin të kthehet e të jetojë në shtëpitë që i ndërtoi për ta Qeveria e Kosovës. Serbët e Vushtrrisë e të Mitrovicës i kanë shitur shtëpitë për të cilat shteti i Kosovës dhe organizata të ndryshme kanë dhënë mbi 2 milionë euro.
Në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Vushtrri, Skenderaj, por edhe në Istog e Klinë, pothuajse të gjitha shtëpitë e serbëve të dëmtuara gjatë luftës janë trajtuar me mjetet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për t’ua krijuar familjeve serbe, që kanë ikur në veri të Kosovës dhe në pjesë të ndryshme të Serbisë, të kthehen dhe të jetojnë në pronat e tyre.
Por pothuajse asnjë familje serbe nuk ka shprehur vullnetin, të paktën ato të komunës së Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, që të kthehen e të jetojnë në shtëpitë që ua ka ndërtuar Qeveria e Kosovës dhe organizata të ndryshme, për të cilat janë paguar hiç më pak se 2 milionë euro.
Të gjithë serbët e zhvendosur nga Vushtrria dhe nga Mitrovica presin të vendosen në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan, që financohet nga qeveria e Serbisë.
Në fshatin Binça të Klinës janë ndërtuar 60 shtëpi të reja për serbët, por aty jeton vetëm një familje. Shtëpitë tjera kanë mbetur të zbrazëta, disa janë demoluar dhe pastaj janë shitur, ndërsa disa të tjera sërish janë shndërruar në gërmadha. Kthimi i serbëve ka qenë pjesërisht i suksesshëm në fshatin Videje të Klinës, në të cilin jetojnë një numër i familjeve serbe. Edhe në këtë fshat janë ndërtuar shtëpi për serbët, por siç thonë vetë ata, “njerëzit vijnë në shtëpi të re, marrin grabitin prej 2.500 eursh për kthim dhe pastaj vetëm pas 10 ditësh sërish kthehen në Serbi”. Madje kryetari i Organit të Përkohshëm të Klinës (kryetari paralel i Klinës), Radoje Sharkoviq, arsyetohet se njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë me 2.500 euro që u jepen. “Nuk mund të bësh asgjë me 2.500 euro, njerëzit i shesin për t’i paguar borxhet që kanë. Atyre duhet dhënë grante të mëdha edhe nëpërmes të organizatave që dy-tri familje t’i marrin 100 mijë euro që ta hapin ndonjë biznes”, thotë ai. Edhe në komunën e Istogut është gjendje e njëjtë. Serbët kryesisht janë të përqendruar në dy fshatra të mëdha, në Cerkolez dhe Osojan, por familje serbe ka edhe në Dragolevc dhe Dubravë. Edhe në komunën e Istogut, sipas shefit të Zyrës Lokale për Komunitete, Rasim Mahmutoviq, ankohen se shtëpitë që janë ndërtuar për serbët janë të zbrazëta, sepse serbet nuk po kthehen. Në Dragolevac i Epërm nga 60 shtëpitë që janë ndërtuar serbët jetojnë vetëm në 6 sosh. Serbët e Istogut janë ankuar gjithashtu se grante u jepen atyre familjeve që shtëpitë i shesin, ndërsa nuk u jepen atyre familjeve serbe që jetojnë aty.
Gjendje edhe më e keqe është në fshatrat e komunës së Vushtrrisë, në të cilat kanë jetuar serbët, si dhe në Frashër të Mitrovicës, ku para luftës kanë jetuar 134 familje serbe.
Organizatat e ndryshme të huaja dhe Qeveria e Kosovës kanë investuar mbi 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të serbëve në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë dhe në Frashër të Mitrovicës. Familjet serbe që jetojnë në veri të Mitrovicës, shumë prej tyre në banesa të uzurpuara të shqiptarëve, përveçqë nuk janë kthyer kurrë për të jetuar në pronat e tyre, ata vetë i kanë demoluar shtëpitë e disa edhe i kanë shitur. Mbi 2 milionë euro që janë dhënë për ndërtimin e shtëpive të serbëve kanë shkuar huq, pasi serbët e disa fshatrave të komunës së Vushtrrisë, të cilët pas përfundimit të luftës kanë ikur në veri të Kosovës dhe në pjesë të ndryshme të Serbisë, ndonëse u janë krijuar kushte ideale për jetë të qetë në pronat e tyre prej nga kanë ikur, nuk janë kthyer kurrë për të jetuar aty ku kanë pasurinë dhe pronat. Komuna e Vushtrrisë dhe organizata të ndryshme të huaja janë përkujdesur që serbëve të zhvendosur t’u ndërtohen shtëpitë dhe përveç ndërtimit shtëpitë e tyre janë mobiluar si dhe janë stimuluar me nga 2 mijë euro vetëm që të kthehen dhe ta fillojnë jetën në pronat e tyre.
Kushte të njëjta për serbët ka krijuar edhe Komuna e Mitrovicës, por as atje familjet serbe nuk janë kthyer kurrë. Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi. Por megjithëse kishin pranuar të kthehen, shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003 në fshatin Maxhunaj qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe, të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat. Një vit më vonë gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010 në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe. Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe të qeverive të shteteve evropiane. Siç i kanë thënë “Zërit” në Komunën e Vushtrrisë, përveç ndërtimit të shtëpive për të kthyerit, shtëpitë e tyre edhe ishin mobiluar, ndërsa krahas kësaj familjeve serbe që do të ktheheshin, sipas një projekti, u jepeshin edhe nga 2 mijë euro. Për ndërtimin e këtyre shtëpive janë paguar 1.4 milion euro, mjete të buxhetit të Kosovës dhe të donatorëve. “Komuna e Vushtrrisë është përkujdesur vazhdimisht dhe ka financuar mjete për krijimin e kushteve për kthimin e familjeve serbe të kësaj komune, të cilat kanë ikur pas përfundimit të luftës, në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi. Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja, por edhe mjetet nga buxheti i Kosovës, në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës. Por, megjithëse kishin pranuar të kthehen shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003”, i kanë thënë “Zërit” në Komunën e Vushtrrisë.
Kthimi ka dështuar edhe në Sfinjarë të Mitrovicës. Në këtë fshat Qeveria e Kosovës ka investuar mbi 600 mijë euro për rindërtimin e të gjitha shtëpive të serbëve, mbi 134 shtëpi. Por serbët e këtij fshati, me gjithë premtimin e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, se do të kenë siguri të plotë, nuk janë kthyer për të jetuar. Shumica e tyre shtëpitë i kanë shitur dhe ata jetojnë në Zveçan. Ata janë të parët që kanë kërkuar të vendosen në vendbanimin “Lugina e Diellit”, të cilën është duke e ndërtuar qeveria e Serbisë për 1500 serbë nga Serbia.
Në anën tjetër Urosh Staletoviqi, këshilltar i ministrit për Kthim dhe Komunitete, ka siguruar se shtëpitë që janë ndërtuar prejse ministër është Jevtiqi nuk janë boshatisur nga serbët.