Aktuale
Opozita e akuzon pushtetin në Podujevë për keqmenaxhim
Këshilltarët e dy partive opozitare në Podujevë ia kanë numëruar pushtetit të kësaj komune gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Në seancën ku pikë e rendit të ditës ka qenë diskutimi për raportin e Auditorit, ata kanë thënë se gabimet e qeverisjes në Podujevë janë duke u ripërsëritur për çdo vit.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Fitim Haziri, ka përmendur projektin e ujësjellësit nga Vrella e fshatit Revuçë, nga e cila parashihej të furnizoheshin me ujë fshatrat Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Metehi, shkruan sot Koha Ditore. Pakashticë e Poshtme dhe Pakashticë e Epërme dhe vetë fshati Revuçë, por që nuk është realizuar, edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë.
“Qytetarët kishin participuar në vlerë prej 70.120 eurosh, e cila shumë është duke u bartur vit pas viti, për shkak të mosrealizimit të projektit. Sipas Komunës, një prej fshatrave ka krijuar pengesat për shfrytëzimin e burimit të ujit, derisa pagesat për punët e kryera në disa fshatra arrijnë vlerën e 173.000 eurove. Kjo çështje është ngritur edhe vitin e kaluar, ngase është projekt me ndikim social, vonesa e të cilit prek mirëqenien e qytetarëve të cilët kanë participuar drejtpërdrejt në zbatimin e projektit”, ka thënë Haziri, duke iu referuar gjetjeve të Auditorit.
“Pra, qytetarë të Komunës së Podujevës, nëse qeverisja Veliu vazhdon t’i përsëritë të njëjtat gabime pa pushim, ky vend ka nevojë për një ndryshim të madh e ndryshimi po dihet…Shqetësuese është fakti se ky raport e nxjerrë shumë keq të vetmin ekspert që ka Komuna e Podujevës (këtë e ka thënë me cinizëm për drejtorin e Urbanizmit, Hamdi Jaha, i cili në një seancë më herët kishte thënë se nuk ka më ekspert se ai në Podujevë v.j.) e ky nuk ka arritur të realizojë buxhetin, ku në raport thuhet se ‘Komuna kishte buxhetuar 7.012.525€ për të investuar në projekte kapitale, nga të cilat ka shpenzuar vetëm 68% apo 4,744,046€’. Një fjalë e urtë thotë ‘Veprat flasin më bindshëm se fjalët’, për ekspertin e pata fjalën”.
Këshilltari i VV-së ka thënë se sikurse vitin 2017, edhe në vitin 2018, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ndarjen e subvencioneve nga ana e Komunës së Podujevës.