Arkitekturë
Krijohet vendi i përkohshëm për adhurim, derisa të restaurohet katedralja e Notre-Dame
Studio ndërkombëtare e arkitekturës “Gensler” ka propozuar krijimin e një pavijoni përkrah katedrales së Notre-Dame, që do të shërbejë si një vend i përkohshëm për adhurim, pas shkatërrimit që iu bë këtij monumenti historik nga zjarri.
I vendosur në sheshin përpara katedrales, në pavijonin Notre-Dame janë projektuar të mbahen shërbime të ndryshme kishtare për banorët dhe vizitorët, derisa të bëhet restaurimi i plotë i katedrales 850 vjeçare.
Përfshirja e këtij objekti nga zjarri, më 15 prill të 2019-tës, la të shkatërruar çatinë dhe pjesën e sipërme të saj, duke bërë që spiralja e saj të dëmtohet plotësisht, shkruan “Dezeen”, transmeton Ndërtimi.info.
Studio “Gensler” hartoi propozimin konceptual si një përgjigje ndaj thirrjeve të peshkopit të Notre-Dame, Patrick Chauvet dhe kryetarit të Parisit për të krijuar një strukturë të përkohshme pranë objektit.
Kulmi është projektuar të krijohet nga (EFTEC- ethylene tetrafluoroethylene) një membranë plastike e lehtë dhe muret nga panelet e polikarbonatit të tejdukshëm.
Panelet pas altarit do të mund të hiqeshin, e në këtë mënyrë personat që do të gjendeshin brenda pavijonit do të mund të shihnin pa pengesa pjesën perëndimore të katedrales së Notre Dame.
Këto panele të lëvizshme gjithashtu mund të shtohen, rrotullohen ose të përshtaten në mënyra të ndryshme për nevojat e njerëzve.
Drejtori i studios “Gensler”, Gensler Duncan Swinhoe tha se ata donin të krijonin një hapësirë “të përulur” e cila ishte e ndjeshme ndaj pamjes dhe gjendjes së katedrales dhe e cila do të mund të bëhej një qendër komunitare derisa katedralja Notre-Dame t’i nënshtrohet restaurimit të saj.
Presidenti francez Emmanual Macron ishte zotuar ta rindërtojë Notre-Dame brenda vetëm pesë vitesh, në kohën e Lojërave Olimpike, që do të mbahen në Paris, në vitin 2025, diçka që ekspertët pretendojnë se është e pamundur.
Arkitektë dhe projektues nga e gjithë bota kanë krijuar propozime për zëvendësimin e mundshëm të spirales së shkatërruar, propozime këto që, madje përfshinin një spirale krejtësisht prej xhami ose një serë publike./Ndërtimi.info/