Aktuale
Komuna nuk e funksionalizoi për 9 vjet, demolohet objekti në Herticë të Podujevës
Ende pa u funksionalizuar, objekti i zyrës së gjendjes civile në fshatin Herticë të Podujevës është kthyer në gjendje jo të mirë.
Ka rreth 9 vjet që ky objekt ka mbetur pa përkujdesjen e askujt dhe në ndërkohë i janë vjedhur shumica e gjërave.
Ky objekt ishte ndërtuar dhe financuar nga Ministria e Shërbimeve Publike, që në atë kohë udhëhiqej nga Melihate Tërmkolli.
Përfaqësuesi i fshatit, Florim Muçolli, thotë se ka drejtuar ankesa të shumta në Polici dhe në komunë, për gjetjen e fajtorit dhe është duke kërkuar funksionalizim të zyrës, por ende pa asnjë rezultat.
Ai thotë se ky objekt është i nevojshëm, pasi që banorëve për një dokument u duhet të shkojnë në Podujevë.
Shqetësues, mosinterveninim e komunës për këtë objekt po e shohin edhe asamblistë të LVV-së në këtë komunë.
E zyrtarë të komunës së Podujevës nuk kanë dashur të flasin para kamerës, por në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se arsyeja që ky objekt nuk është funksionalizuar, është migrimi dhe numri i vogël i banorëve që kanë mbetur në këtë fshat.
“Ky objekt ende pa u funksionalizuar është demoluar nga persona të panjohur, për çka Komuna (me kohë) ka paraqitur rastin dhe ka bërë denoncimin në organet kompetente. Ndërsa, arsyeja se pse më vonë nuk është funksionalizuar kjo zyrë, është migrimi dhe rënia e numrit të banorëve në atë fshat”, ka thënë Nazmi Elezi, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Ky fshat, i cili shtrihet në pjesën kufitare më Serbinë, ka rreth 600 banorë.