Aktuale
Fëmijët dhe pleqtë nuk përfillen nga projektuesit në Kosovë
Objektet e banimit kolektiv kanë zënë vend në çdo cep të çdo qyteti, në veçanti në kryeqytet. Këto objekte që bëhen ambiente jetese apo pune ndikojnë në disponim rrjedhimisht edhe në produktivitetin gjatë aktiviteteve. E, ambienti rol luan edhe në formimin e fëmijëve. Mirëpo, më mirë nuk mbesin as pleqtë, që të kenë hapësira ku të kalojnë kohën. Hapësirat e vetme ofrohen në lagjet e vjetra si në Ulpianë ose Dardani, mirëpo jo në Matin 1, Arbëri, Kalabri e Dodonë, si lagje me hov ndërtimi të pasluftës.
Shkruan: Zoje Sadiku
Në Kosovë, menjëherë pas përfundimit të luftës filloi ndërtimi i qyteteve pa ndonjë plan e në disa raste kur kishte plan, ai nuk u respektua. Me hov u ndërtuan objekte ilegale dhe vendi u shndërrua në një kaos urbanistik.
Pas 20 viteve ndërtimeve të hovshme ndërtimet janë kudo, por jo edhe aq hapësira të cilat mund të shfrytëzohen nga qytetarët e aq më pak për lojërat e fëmijëve.
Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe atyre për rekreacion ka ndikim në mënyrën se si fëmijët rriten dhe formohen.
Me mungesë të hapësirave të gjelbra në vendin ku jetojnë përballen edhe fëmijët e Vlora Aliut nga “Kalabria e Re” në kryeqytet.
Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe i duhet të ecë gjatë për të gjetur park, ku fëmijët e saj luajnë.
“Jemi në mungesë të parqeve, hapësirës gjelbëruese edhe pse këtu në lagjen tonë e kanë bo një park ashtu të themi të vogël po nuk është i mjaftueshëm për gjithë banorët sa jemi përreth edhe normalisht që detyrohemi t’i dërgojmë në hapësira më të mëdha gjelbëruese edhe për mendimin tim pamja e gjelbër simbolizon mirëseardhje ndikon në krijimin e qetësisë dhe baraspeshës e gjithsesi është në dobi të shëndetit tek fëmijët dhe tek të rriturit. Kështu që na duhet hapësirë më e madhe gjelbëruese që të kemi fëmijë më të shëndetshëm. Shpresojmë që në të ardhmen do të shtohen këto hapësira”, ka thënë Aliu për Ndërtimi.info.
Arkitektura ka lindur si nevojë e njerëzimit për rregullin. Ajo nëpërmjet projektimeve na mbanë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kjo ndikon në atë se si e shohim ne botën përreth.
Sipas psikologes, Azize Daku loja është një proces rritjeje përmes të cilës ata krijojnë marrëdhënie të ngushta me familjarët rrethin me të cilin bashkëvepron e po ashtu zhvillon aftësitë psiko-motorike.
Sipas saj nëse fëmija ka një ambient të pastër në të cilin mund të shprehë interesin e tij për të eksploruar, atëherë kjo do t’i ndihmojë shumë atij.
“Fëmijët kanë nevojë të eksplorojnë, eksperimentojnë, dhe të mësojnë gjërat bazike përgjatë eksperiencave direkte. Realisht, fëmijëria është koha kur fëmija e prek, botën fizike, e ka ndjesinë e ujit, ndjenjën e gravitetit, erën e keqe të një fruti të prishur. Një fëmijë mund të mësojë përmes të prekurit, dhe nëse i mohohet ky lloj stimulimi atëherë shëndeti mendor i fëmijës mund të stagnohet”, tregon Daku për Ndërtimi.info.
Ekspozimi i fëmijës gjatë gjithë kohës ndaj ndotësve si zhurma dhe ajri i ndotur është e dëmshëm sipas Dakut, sepse kjo do të ndikojë në zhvillim e tyre njohës.
“Ross Cameron, ligjërues në menaxhimin tokave, ekologjisë dhe dizajnit në Universitetin e Sheffield, tregon se ka një lidhje shkakore në mes cilësisë së ajrit dhe hapësirës së Gjelbër; cilësia e dobët e ajrit e zvogëlon vigjilencën dhe funksionon njohës, dhe hapësira e gjelbër tenton të përmirësoje ajrin”, shprehet psikologja.
Ndërsa arkitektja Bora Kelmendi, thotë se si fëmijët ashtu edhe të moshuarit ani pse janë dy moshat më delikate ata janë lënë anash gjatë projektimit, rrjedhimisht po mënjanohet, pasi askush s’po mendon për ta.
“Arkitektura është e ofruar për plotësimin e nevojave për grupin e njerëzve që për nga mosha cilësohen si të aftë për punë, të cilët shumicën e kohës e kalojnë në ambiente të mbyllura. Kjo ndodh për shkak të fitimeve dhe zhvillimit ekonomik që si rrjedhojë mbështetet dhe nga arkitektura. Në vrazhdën e këtij shtjellimi del se zhvillimi i dy grup moshave të tjera të jetë më pak fitimprurës”, është shprehur Kelmendi.
Arkitektja thotë se këto hapësira janë shumë të nevojshme, por për pjesën se sa mendohet për këto hapësira, ajo varet nga disa faktorë si njohuritë institucionale, ndërgjegjja humane por edhe nga forcat e jashtme private apo institucionale.
Gjithashtu ajo tha se duhet të ketë më shumë dëshirë që këto idetë për këto hapësira të vihen në zbatim.
“Gjithsesi nëse vazhdojnë të mënjanohen hapësirat e shëndetshme pavarësisht grup moshës kemi shumë shembuj në histori që kanë rezultuar në kriza të grupeve shoqërore dhe komunale në mungesë të këtij faktori urban apo arkitektonik. Hapësirat e shëndetshme i përkasin shoqërisë pavarësisht se ku banon, pra nuk duhet të jetë privilegj vetëm i një pjese të qytetit apo lagjeje. Realisht mendoj se duhet të investohet më shumë kohë dhe dëshirë për ti shndërruar këto hapësira nga ide në zbatim”, deklaroi Kelemendi.
Kompanitë e ndërtimit, vazhdojnë të ndërtojnë objekte shumëbanesore, objekte individuale dhe objekte për qëllime të tjera, të cilat janë të përqendruara kryesisht në Prishtinë.
E, sipas raportit të Komunës së Prishtinës në vitin 2018 nga Drejtoria e Urbanizmit janë lëshuar 195 leje ndërtimore të cilat përfshijnë një sipërfaqe të përgjithshme prej 909,750.83 metra katrorë./ndërtimi.info/