Connect with us

Aktuale

Rimëkëmbja e ngadaltë e kombinatit “Trepça”

Published

on

Përveç problemeve financiare, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe teknologjia e vjetruar janë disa nga problemet më të cilat po përballet kombinati metalurgjik Trepça, thonë udhëheqës të kësaj ndërmarrje.

Drejtori menaxhues në Trepçë, Basri Ibrahimi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të kalohet kriza financiare, ndonëse siç thotë ai, problemet janë të shumta dhe të grumbulluara ndër vite.

Megjithatë, sipas tij, me një menaxhim më të mirë do të arrijnë të shtojnë prodhimin dhe brenda këtij viti do të stabilizohet gjendja financiare në Trepçë.

“Trepça ka qenë në një krizë duke pasur parasysh shumë faktorë, si pasiguria rreth statutit dhe problemet politike, por me Ligjin për Trepçën dhe statutin e aprovuar janë hapur rrugë që Trepça të ecë në drejtimin e duhur. Muajt e fundit prodhimi nuk ka qenë në nivelin e duhur, por jemi duke bërë përpjekje që ky prodhim të rritet, ne kemi përcaktuar një objektiv që deri në fund të vitit të arrijmë që pagat dhe shpenzimet tjera operative t’i mbulojmë nga prodhimet tonë pra nga puna e Trepçës”, thotë Ibrahimi.

Ai thekson se në Trepçë janë shumë probleme për të cilat nuk mund të gjendet zgjidhje e shpejtë, por se do të punohet në këtë drejtim dhe duhet të bëhen investime për të rritur prodhimin.

“Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në minierë dhe teknologjia e vjetruar janë dy nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet do të na ndihmojnë në investimet kapitale për të avancuar teknologjinë që përdoret në miniera dhe flotacion dhe unë jam i bindur se vitin tjetër do të jetë një vit pozitiv për Trepçën dhe hapjes së perspektivës si shoqëri aksionare”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës pati ndarë për paga të punëtorëve mbi dy milionë euro ndërsa për investime kapitale ka ndarë 1.3 milion euro, thotë Ibrahimi, që sipas tij, do të mjaftojnë në rifreskimin e teknologjisë dhe arritjen e objektivave.

Por, zhvillimet e fundit politike në vend si dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zgjedhjet e eventuale të parakohshme që mund të mbahen do të ndikojnë në proceset e nisura për rimëkëmbjen e kësaj ndërmarrje.

Në letrën e dorëheqjes, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj kishte përmendur edhe Trepçën ku kishte thënë se kjo ndërmarrje është e gatshme për investime.

Trepça muaj më parë është regjistruar si shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të Trepçës.

Minatorë të kombinatit metalurgjik Trepça janë skeptik se mund të arrihet që ndërmarrja të dal nga kriza financiare në të cilën është futur.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të Trepçës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe se në këtë ndërmarrje është bërë menaxhim jo i duhur.

“Drejtori i ri ka premtuar se do të rris prodhimin dhe do të rimëkëmbë Trepçën deri në fund të viti, por realisht unë e shoh me skepticizëm për shumë arsye pasi që Trepça është e zhytur në borxhe të mëdha, tani vetëm mbi tre milionë euro i ka borxh operatorëve. Ne do të ishim më të lumtur nëse Trepça të rimëkëmbet, por sipas të gjitha gjasave me këtë prodhim aktual nuk po arrihet të sigurohen as pagat e punëtorëve”, thotë Sadiku.

Ai shton se prodhimi aktual në Trepçë është i ulët dhe atë vetëm deri në 10 mijë ton xehe në muaj me të cilët sipas tij, nuk arrihet të mbulohen pagat e rreth 1,300 minatorëve të kombinatit metalurgjik.

“Trepça ka nevojë për një menaxhim të mirë, për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe nepotizmit, Trepça ka ardhur në këtë gjendje ku nuk po arrihet të sigurohen as pagat e minatorëve. Ka vonesa në pagesën e pagave. Me këtë prodhim nuk arrihen të mbulohen as shpenzimet dhe pagat e minatorëve”, shton ai.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Kombinati metalurgjik Trepça, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending