Aktuale
Në Mitrovicë do të ndërtohet lagjja “Frashër” me 40 shtëpi për skamnorët
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/mitovice.jpg)
Komuna e Mitrovicës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi me organizatën joqeveritare nga Katari “Qatar Charity” lidhur me projektin për ndërtimin e lagjes “Frashër” në qytetin e Mitrovicës me sipërfaqe prej 3. 27 ha (3 ha 27 ari 65 m2).
Në takimin që kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri e zhvilloi me ambasadorin e shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al Marri, u tha se ky projekt madhor për qytetin e Mitrovicës parashihet të ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga organizata “Qatar Charity” dhe një xhami.
Ndërsa Komuna e Mitrovicës, në cilësinë e bashkëfinancuesit, ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.
Bahtiri ka falënderuar ambasadorin e Katarit dhe përfaqësuesit e këtij shteti për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj qytetarëve të Mitrovicës, duke thënë se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të me “Qatar Charity”, e cila, sipas tij, ka mbështetur Mitrovicën me projekte madhore në sektorë të ndryshme, duke kontribuar kështu në zhvillim dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Ky projekt i mbështetur nga organizata juaj është shumë i rëndësishëm si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social, por mbi të gjitha ka vlera humanitare sepse i atribuohet qytetarëve të cilët jetojnë në kushte jo të mira ekonomike. Komuna jonë ndihet shumë falënderuese për mbështetjen e vazhdueshme dhe realizimin e shumë projekteve në qytetin tonë, kur dihet se aktualisht qyteti i Mitrovicës përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Donacioni i ofruar nga ana juaj për ndërtimin e 40 shtëpive në Mitrovicë, është një lehtësim i madhe për ne si institucione lokale, sepse në këtë mënyrë po ua kthejmë buzëqeshjen shumë familjeve të cilat jetojnë në kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim”, ka thënë ndër të tjerash Bahtiri.
Kurse ambasadori i shtetit Katar, Ali Bin Hamad Al Marri, theksoi se ndihet tejet i lumtur që ndodhet në qytetin e Mitrovicës dhe se shteti i tyre ka arritur të ndihmojë Kosovën me projekte të ndryshme e veçmas duke ndihmuar familjet në nevojë.
“Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të ndihmojmë qytetarët e Mitrovicës me projektet tona, për të ndihmuar familjet të cilat vërtetë kanë nevojë”, tha ndër të tjerash ambasadori i shtetit Katar.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)