Aktuale
Kur një qendër tregtare bën lëmsh Inspektoratin, Policinë dhe Prokurorinë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/67197247_327407008209459_8764730561127251968_n.jpg)
Një pjesë e një qendre tregtare në Prizren, e cila është shumë e vizituar, është bërë kurban për përleshje, akuza dhe çka jo tjetër mes Inspeksionit Komunal të Prizrenit dhe kompanisë që ka qendrën tregtare. Në këtë mes policia një ditë asistoi njërën palë, e tjetrën ditë u doli në krah palës që i bënte rezistencë një ditë më herët. Një kameraman i një medie lokale u sulmua nga stafi i qendrës tregtare, kurse gazetarët tjerë janë marrë në pyetje nga policia e Prizrenit.
Inspektorët e Komunës së Prizrenit më 19 gusht kishin shkuar në qendrën tregtare “Abi Çarshia” për të rrënuar një pjesë të saj, e cila është pa leje ndërtimore, por zyrtarët komunal pësuan nga pronari i kësaj qendre dhe punëtorët aty.
Inspektorët e Komunës u sulmuan fizikisht dhe u dashtë ndërhyrja e Policisë së Kosovës, por që gjatë kësaj ndërhyrje janë lënduar edhe policët.
Derisa, të premten Policia asistoi në përpjekjen për rrënimin e objektit, të dielën ndodhi e kundërta. Të dielën Policia e Kosovës nuk ka lejuar rrënimin e objektit më arsyetimin se po respektohet vendimi e Prokurorisë, duke mos lejuar këtë rrënim.
Në anën tjetër, i pari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka akuzuar institucionet e drejtësisë se nuk e ndihmuan komunën në rrënimin e një pjese të kompleksit “Abi Çarshia”. Në një konferencë për media, ai ka thënë se institucionet e drejtësisë nuk e kanë kryer punën e tyre.
Ai, ka thënë se “Abi Çarshia” nuk ka përfillur vendimet e Komunës së Prizrenit në lidhje me punimet në këtë qendër tregtare.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas ligjeve. Për ne nuk ka qytetarë të fortë dhe të dobët. Mungesa e sundimit të ligjit është problemi kryesor i Kosovës. Në këtë rastin e fundit, Komuna investitorit i ka ofruar mundësinë që të bëjë të gjitha sipas planit zhvillimor, sipas atij urbanistik dhe që mos të dëmtohet. Por më shumë se 1 vit e gjysmë ai nuk ka përfillur asnjë vendim dhe ka vazhduar punimet aty. Komuna është detyruar që të implementojë siç duhet ligjin”, ka thënë Haskuka.
Përfaqësues të “Abi Çarshisë”, tentimin për rrënim të objektit të tij, e ka quajtur politike, derisa është thirrur në udhëzimin administrativ për legalizimin e ndërtimeve pa leje të nënshkruar, duke shtuar se kanë aplikuar për legalizim.
Avokati i qendrës tregtare “Abi Çarshia”, Taulant Hodaj ka njoftuar se tashmë u janë drejtuar gjykatës në lidhje me këtë çështje. Ai, se çfarë ka bërë kompania për lejen ndërtimore.
“U përfunduar kompleksi në qershor 2018 dhe 15 për qind është tejkalim i lejes së ndërtimit. Për këtë objekt që ka leje 15-20 prej saj ka tejkalim. Është objekti i vetëm që ka marrë leje asnjë tjetër në Prizren nuk ka. Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ligji thotë se çdo ndërtim i përfunduam duhet të trajtohej para datës së hyrjes në fuqi. Udhëzimi administrativ është nënshkruar nga ministri në 2019 dhe ka hy në fuqi. Prej kësaj date e kemi mbledh dokumentacionin. Kemi aplikuar më 18.7, 2019, komuna e Prizrenit na ka lëshuar një kopje dhe thotë se nuk jemi të njoftuar se ka udhëzim administrativ ndërsa ai është publiku në gazetën zyrtare. Në përgjigjen e komunës thotë komuna e Prizrenit nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga MMPH për legalizim. Këto i kemi dërguar në gjykatë dhe është duke u trajtuar”, ka thënë ai gjatë një konference për media.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prizren ka thënë se rrënimi në këtë qendër tregtare është i kundërligjshëm. Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Admir Shala, tha se objekti nuk guxon të rrënohet nëse investitori ka aplikuar për legalizimin e objektit dhe se rasti është duke u hetuar, prandaj zyrtarët duhet të kenë kujdes me veprimet që janë të kundërligjshme.
“Nëse investitori ka aplikuar për legalizim të objektit, objekti nuk guxon të rrënohet, edhe nëse aplikacioni nuk është pranuar kjo nuk mund të ndodhë pa i shfrytëzuar edhe mjetet e ankesës edhe në shkallë të parë edhe të dytë. Përderisa komuna nuk ka dalë me ndonjë vendim për legalizim duhet të përmbahet nga veprimet tjera, të cilat mund të jenë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kjo çështje është nën hetim penal dhe përderisa jemi në hetime, i lutemi zyrtarëve që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme”, ka thënë ai.
Ndërkaq, e gjithë kjo histori kishte filluar në korrik të vitit të kaluar. Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit më 31 korriku 2018 kishte marrë vendim për rrënimin e një pjesë në “Abi Çarshisë”, pasi ishte ndërtuar pa leje. Mirëpo Ministria e Mjedisit dhe planifikimit Hapësinor e kishte anuluar këtë vendim.
“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi. Ndërsa sipas procesverbalit nr.0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhej në vendimin e ministrisë.
Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit edhe në muajin prill 2019 kishe urdhëruar ndalimin e punimeve në njërën pjesë të qendrës tregtare “ABI Çarshia”. Zyrtarët e kësaj drejtorie kishin vendosur shirita për ndalimin e punimeve, me arsyetimin se ato po realizohen në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa lidhur me këtë rast ishin shqiptuar 3 gjoba mandatore./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)