Aktuale
Kryeprokuroria në Prizren thotë se rrënimi i “Abi Çarshia” është i jashtëligjshëm
Pas problemeve që dolën në lidhje me rrënimin e një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia” në Prizren, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka mbajtur një konferencë për media për të sqaruar çështjen.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Admir Shala, tha se objekti nuk guxon të rrënohet nëse investitori ka aplikuar për legalizmin e objektit dhe se rasti është duke u hetuar, prandaj zyrtarët duhet të kenë kujdes me veprimet që janë të kundërligjshme.
“Nëse investitori ka aplikuar për legalizim të objektit, objekti nuk guxon të rrënohet, edhe nëse aplikacioni nuk është pranuar kjo nuk mund të ndodhë pa i shfrytëzuar edhe mjetet e ankesës edhe në shkallë të parë edhe të dytë. Përderisa komuna nuk ka dalë me ndonjë vendim për legalizim duhet të përmbahet nga veprimet tjera, të cilat mund të jenë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kjo çështje është nën hetim penal dhe përderisa jemi në hetime, i lutemi zyrtarëve që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme”, ka thënë Shala.
Shala gjithashtu tha se vendimet e prokurorisë janë të paanshme dhe të pavarura, prandaj sulmet që ndodhën ndaj saj janë të papranueshme.
“Policia vepron në bazë të prokurorit dhe prokuroria vepron në bazë të ligjit dhe ligji duhet të zbatohet njëjtë për të gjithë. Duke pasur parasysh edhe sulmet e fundit ndaj prokurorisë së shtetit nga organet kompetente, ne u bëjmë me dije të gjitha organeve se institucioni i prokurorisë është i pavarur dhe i paanshëm dhe veprojmë në bazë të ligjit dhe askush nuk mund të ndikojë prokurorisë në çështjet hetimore”, ka thënë kryeprokurori.
Inspektorati i Komunës së Prizrenit, ka shkuar që të rrënojë një pjesë të objektit “Abi Çarshia” por, një gjë e tillë është penguar. Kjo ka bërë që aktivistë të VV-së dhe kompanisë të përballen në lidhje më ndërtimin e këtij objekti.