Aktuale
Me “transformime” frymëzuese të objekteve përfundon “Mural Fest”
Kanë mjaftuar shtatë ditë që disa objekte të qytetit të Ferizajt të marrin pamje tjetër, që i bënë tash e tutje atraksion për qytetarët e këtij qytetit, por edhe për vizitorët. “Mural Fest” i ka gjallëruara mure të objekteve që i kishte dëmtuar koha e në raste njeriu.
Është mbajtur nata përmbyllëse e edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar, “Ferizaj Mural Fest”. Festivali, që ka karakter ndërkombëtar , ka nisur më datën 10 korrik duke vazhduar deri me atë 17.
Murali i parë me të cilin identifikohet qyteti i Ferizajt daton nga viti 1967-të “Kamarieri”, ka qenë burim i idesë së zhvillimit të këtij artin në këtë qytet.
Në fakt në qytetin e Ferizajt murale të ndryshme janë punuar ndër vite. Më 2004-në është punuar murali me temën “Integrimi drejt Evropës”, më 2015 është punuar murali për ndër të 8 marsit, me temën “Bashkimi familjarë”. Ndërsa më pas me disa artistë të rinj u vazhdua me aktivitetet tjera, me moton “T’i japim ngjyrë qytetit”.
Një numër i tillë festivalesh, dëshmon forcën e madhe krijuese dhe nevojën e qytetarëve të Ferizajit për të shijuar vlerat artistike, nën moton “Me art për tolerancë”, ku sipas organizatorëve artistët krijuan artin unik të tyre duke u bazuar në tolerancën ndërfetare, etnike e gjnore.
Me iden e kryetares së Shoqatës së Artistëve Figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj, Lebibe Topalli, gjatë këtij festivali morën pjesë 10 mysafirë ndërkombëtarë dhe 25 të tjerë nga Kosova, gjithsej 35 artistë realizuan muralet me mozaik por edhe me grafitet 3D.
Karakteristikë e këtij festivali ishte edhe zhvillimi i punëtorive, ligjëratave, ekspozita të artistëve dhe ekspozita të punimeve të nxënësve, krahas kësaj risi ishte edhe punëtoria që u zhvilluar nga eksperti amerikan Axel Void me artistët e rijnë.
Në kuadër të aktiviteteve u mbajt edhe një performancë me instrumentistë, nxënës të shkollës së muzikës “Cesk Zadeja”, mbrëmje poetike me poetin Shpëtim Selmani në teatrin e qytetit “Adriana” dhe programi u mbyll në kafenen “N’dritare”, me muzikë të rok-grupit “By Stander”.
“Ferizaj Mural Fest përveç ofrimit të mundësive për krijuesit, ua mundëson qytetarëve të Ferizajt që t’i shijojnë tashmë në baza ditore veprat që janë të vendosura në vende të dukshme, duke e bërë qytetin me shumë ngjyra, e duke transferuar rrugët në një muze të kuruar, të hapur, që tregon murale në shkallë të gjerë nga artistë ndërkombëtar dhe vendas.
Organizatorët po ashtu kanë njoftuar se vitet e ardhshme do të zgjerojnë bashkëpunimet e tyre edhe me komunat tjera të Kosovës.