Aktuale
Kadriu s’flet për denoncimin për ndikim në tender, thotë se deklaroi para Lekajt
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/27745108_10156066930530480_15386784_o-1000x600.jpg)
Në një letër drejtuar ministrit të infrastrukturës Pal Lekaj, nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Betim Reçica, thuhet se zëvendësministri Rexhep Kadriu ka provuar të ndërhyjë dhe të ushtrojë ndikim për ta favorizuar një kompani të caktuar për ta fituar një tender.
Por Kadriu, i kontaktuar nga Ndërtimi.info nuk ka pranuar të deklarohet për denoncimin që ia bënë brenda ministrisë. Ai ka thënë shkurt se tashmë është deklaruar para ministrit Pal Lekaj.
“Unë e kam bërë deklaratën pranë ministrit dhe nesër ai e lexon e pastaj unë prononcohem”, ka thënë Kadriu.
Ndërsa ministri Pal Lekaj nuk ka qenë i çasshëm.
Në letrën ku bëhet denoncimi thuhet se zëvendësministri Rexhep Kadriu dëshironte ta favorizonte një kompani e cila vjen nga Gjilani, qytet nga i cili është vetë zëvendësministri, person i autorizuar i së cilës rezulton të jetë Aulon Fazliu dhe kompania ka kapital 30 mijë euro.
Sipas letrës, Rexhep Kadriu, e ka thirrur në zyrën e tij dy herë, Blendiona Gegollaj, anëtare e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Ekzaminimet kontrolluese për shërbime laboratorike të rrugëve regjionale dhe rajonale”, përmes asistentes së tij Drenusha Sherifi me qëllim të ushtrimit të ndikimit që komisioni të veprojë në favor të tij. Gjithashtu thuhet se Kadriu e ka ftuar edhe anëtarin e komisionit z. Hysen Merovci, për vlerësimin e ofertave për të ushtruar ndikim që i njëjti të mos aplikojë kriteret e dosjes së tenderit ndaj kompanisë “IPE – Controls”, pasi që te kjo kompani kishin konstatuar mungesë të pajisjeve gjatë vizitës në terren dhe po të njëjtën ditë, Hysen Merovci ka raportuar në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Sipas një raportimi të mëparshëm të “Drejtësia në Kosovë”, kompania e Rexhep Kadriut “Pro-Eng” është dyshuar për furnizim me beton të kompanive në ndërtimin e autostradës së Gjilanit, mirëpo ai ishte arsyetuar se kompania tash nuk është e tij, por e djalit.
“Kompania ‘Pro- Eng’ ka qenë pronë e imja, tash është pronë e djalit. Nga pronësia jam larguar para katër ose pesë muajve”, kishte thënë Kadriu për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)