Aktuale
MMPH-ja jep 1.5 milion euro për projekte në pesë komuna
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të investojë 1.5 milion euro në pesë komuna, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Rahovec dhe Shtime. Për investimin që do të bëhet në këto komuna, ministri i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Fatmir Matoshi ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me kryetarët e tyre, raporton Ndërtimi.info.
Sipas ministrit Matoshi, të gjitha këto projekte janë edhe një hap më shumë në angazhimin tonë të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetareve të vendit. Besoj që këto projekte do të realizohen me kohë dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komunat përkatëse.
“Po ashtu kërkova nga kryetarët e komunave një angazhim më të madh në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin efikas të këtyre projekteve, mirëmbajtjen e zonave të gjelbra, mbrojtjen e lumenjve nga ndotja, dhe krahas kësaj të vetëdijësojnë qytetaret për mbrojtjen e mjedisit edhe përmes aplikimit të gjobave mandatore. Nga kryetarët kërkova angazhim edhe në zbatimin e Udhëzimeve Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, ka shkruar ministri Matoshi në facebook.
Me komunën e Gjakovës është nënshkruar marrëveshje për projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Krena” në vlerë 200 mijë euro për vitin buxhetor 2019 dhe së shpejti do të investojmë edhe me projektin “Rregullimi i shtratit të Lumit Erenik”, në vlerë prej 17 mijë euro.
Me Komunën e Pejës janë nënshkruara memorandume për projektet “Ndërtimi i Murit mbrojtës të Lumbardhit në Pejë”, në vlerë prej 300 mijë euro dhe “Ndërtimi i Ujësjellësit për fshatrat e Lugut të Baranit”, në vlerë prej 100 mijë euro. Në këtë komunë së shpejti do të investojmë edhe në projektin “ Kanalizimi i ujërave të zeza në fshatin Novo Sellë”, në vlerë prej 800 mijë euro.
Memorandum Bashkëpunimi është nënshkruar edhe me komunën e Rahovecit për projektin “Rregullimi i shtretërve të lumenjve në fshatrat, Hoqë e Madhe, Brestoc, Nagavc, Krushë e Madhe, -Rahovec”, në vlerë prej 150 mijë euro.
Ndërsa me komunën e Shtimes është nënshkruar projekti “Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Carralevë–Shtime dhe Mollopolc, Petrovë-Shtime- Vojnovc”, në vlerë prej 81 mijë euro. Në këtë komunë së shpejti do të investohet edhe në projektin “ Rregullimi i Parkut, Sheshit dhe Qytetit në Shtime”, në vlerë prej 120 mijë euro.
Gjithashtu, është nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe me KRU “Hidromorava” në Gjilan, për projektin “ Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e Lumit në Dobërçan”, vlera totale 550 mijë euro. Me komunën e Gjilanit, së shpejti do të nënshkruajmë edhe memorandumin për projektin “Krijimi i zonave të gjelbra” në vlerë prej 550 mijë euro.