Aktuale
Pushojnë hetimet ndaj zyrtarëve të ATK-së për borxhin e pambledhur
Prokuroria Themelore në Prishtinë pushoi hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë të ATK-së.
Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 30 gusht pushoi hetimet për keqpërdorim detyre ndaj zyrtarëve e ish- zyrtarëve të lartë të Administratës tatimore të Kosovës (ATK), Nahit Sharkut, Behxhet Halitit dhe Ilir Islamit.
Në kohën për të cilën dyshoheshin, Behxhet Haliti kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të ATK-së, ndërsa Nahit Sharku ishte ushtrues i kësaj detyre.
Sipas njoftimit të prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë të ATK-së kanë pushuar nga prokurorja Dulina Hamiti, ngase pas zhvillimit të tyre është konstatuar se “nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit e lartëcekur e kanë kryer veprën penale të cekur më lartë[keqpërdorimin e detyrës]”.
I kontaktuar nga KALLXO.com, Nahit Sharku, ish-ushtrues detyre i drejtorit të ATK-së tha se hetimet ndaj tij kanë pushuar për Rastin “Dajti”.
“Rasti ‘Dajti’ që e kam sqaru në emision (Emisionin Jeta në Kosovë) dhe i keni dokumentet në dosje”, tha Sharku.
Emisioni Jeta në Kosovë në dhjetor të vitit që shkoi publikoi në tri edicione hulumtimin për vjedhjen e organizuar tatimore nëpërmjet kompanive fiktive pasi kallxuesi Murat Mehmeti, një inspektor tatimor, kishte vendosur t’i denoncojë shkeljet e në këtë institucion.
Në këto emisione Sharku kishte sqaruar se në Rastin “Dajti” bëhej fjalë për një biznes me këtë emër të cilit ATK-ja kishte dështuar t’ia arkëtojë borxhin milionësh nga tatimi.
Sqarimin e Nahit Sharkut për Rastin Dajti mund ta ndiqni këtu.
Po në dhjetor të vitit që shkoi, Sharku kishte thënë se ndaj tij po zhvillohet fushatë mediatike, politike dhe policore për ta parandaluar vazhdimin e reformës që kishte nisur si ushtrues detyre.