Aktuale
Hapësirat ku gërmuan gurthyesit nuk i rehabilituan
Pjesa më e rrezikshme e gurthyesve është fakti se ata posa e kryejnë aktivitetin në një hapësirë të caktuar e lënë atë në gjendje të mjerueshme. Kjo përveç që duket keq, paraqet rrezik të madh për banorët pasi gropat e krijuara nga minimet dhe gërmimet me makineri të rëndë, janë shumë të mëdha. Preportr ka dalë në terren dhe i ka evidentuar disa raste të tilla. Numri i tyre nuk është i vogël. Shteti në këto raste nuk ka intervenuar sepse një gjë e tillë është e kushtueshme. Megjithatë në KPMM thonë se që nga viti 2013 i kanë obliguar kompanitë për të paguar një garancion në vlerë prej 5000 eurove për një hektar, të cilin e deponojnë në bankë. Në rast që hapësira nuk kthehet në gjendje të pranueshme ambientale, atëherë kjo shumë konfiskohet.
Sipas drejtorit të KPMM-së ka ende një numër të madh të kompanive që nuk e bëjnë një gjë të tillë. Deri tani nga kompanitë që nuk e kanë kthyer gjendjen në situatë të pranueshme ambientale, janë konfiskuar 722 mijë euro garancione bankare.
“Të licencat aktive kompanitë për t’u pajisur me një licencë janë të obliguara të dorëzojnë një projekt të vlerësimit të ndikimit në mjedis për të marrë pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit. Kur kompanisë i përfundon licenca apo bënë kërkesë për mbyllje, sepse e ka shfrytëzuar resursin para afatit të paraparë, është komisioni ndërinstitucional që përbëhet prej dy anëtarëve të KPMM-së, një nga Ministria e Mjedisit dhe dy të Agjencisë së Pyjeve, i cili është i obliguar të bëjë një raport nga terreni se a është bërë gjithçka sipas ligjit”, thotë drejtori i KPMM-së, Krasniqi.
Kompania pa e kthyer atë vend ku i ka shfrytëzuar resurset në gjendje të pranueshme ambientale, nuk mund të marrë garancionin që është në vlerë prej 5 mijë eurove për një hektar, të cilat i deponojnë në bankë.
Ministri i ambientit e pranon që në të kaluarën hapësirat e shfrytëzuara nga gurthyesit nuk janë rehabilituar.
“Kjo zakonisht nuk ka ndodhur. Ne duhet që bashkë me KPMM-në, bashkë me gjykatat, me policinë të themelojmë grupe pune, të cilat si qëllim final, përveç ruajtjes së ambientit, do ta kenë edhe kthimin në gjendjen e mëparshme”, thotë ai.
Matoshi thotë se ministria ka investuar dhe investon ende me qëllim të rehabilitimit të hapësirave që dëmtohen nga eksploatuesit ose gurthyesit, por nuk munden pafundësisht si shtet, me buxhetin dhe taksat e qytetarëve të paguhet dhe të përmirësohet gjendjen aty ku njerëzit e bëjnë për interesa personale.
“Jam njoftuar se në të kaluarën inspektorët edhe janë gjuajtur me armë, janë rrahur, kanë qenë të pambrojtur përballë keqpërdoruesve. Prandaj është një diçka që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, sepse është një lloj mafie që ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë në vende të caktuara, para se cilës shteti duhet ta tregojë vetën të forte”, thotë ai.