Arkitekturë
Kështu do të duket sheshi i Suharekës, që do të transformojë qytetin [foto]
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/foto_balin.jpg)
Suhareka do të ketë një shesh i cili do të shtrihet në një sipërfaqe bukur të madhe. Sheshi do të bllokojë rrugën nëpërmes qendrës së qytetit. Sheshi do të fillojë nga udhëkryqi tek Bodrumi i Verës dhe Postës së Qytetit, kalon tek Ura e Madhe dhe përfundon tek vendi që quhet Ura e Vogël, ose pranë objektit të zjarrfikësve.
I gjithë projekti është i lidhur ngushtë me ndërtimin e dy unazave të qytetit që do të çlirojnë totalisht qarkullimin e automjeteve në qendër qyteti, mirëpo krijojnë kushte edhe për qarkullim brenda-urban të qytetarëve nëpër lagje.
Për këtë ndryshim urban në Suharekë është aplikuar konkurs arkitektonik. Në konkurs kanë marrë pjesë katër studio arkitekture, teksa përzgjedhja e tyre është bërë nga një komision i jashtëm dhe i pavarur. Projekti tashmë ka marrë rrugë pasi Ministria e Infrastrukturës ka ndarë 1 milion euro, mirëpo ky projekt me sa merr vesh Ndertimi.info, do të ndërtohet në faza, pasi është e pamundur të bëhet i gjithi menjëherë.
Me këtë projekt aktivitetet edukative, sportive e kulturore të qytetit janë të koncentruara në pjesën jug-perëndimore. Për këto funksione është menduar të dizajnohen oaza dhe hapësira përgjatë sheshit në mënyrë që të ofrohet mundësi zhvillimi të tyre edhe në hapësira të përbashkëta ku ndërveprimi në mes qytetarëve është më i madh.
Pjesa qendrore do të rikthehet në një qendër si hapësirë multifunksionale dhe fleksibile, me mundësi të përshtatjes për aktivitete të shumta, sikur ditë festash, manifestime, panaire, gara sportive, kinea e hapur, ndarje çmimesh, panaire, prezantime e shumë të tjera.
Nëpër hapësirat e gjelbëruara përgjatë sheshit do të vendoset bimësi karakteristike të cilat gjinden në park të qytetit. Gjithashtu pemët ekzistuese do të mbesin në lokacionin ekzistues ose do të zhvendosen sipas nevojës.
Hapësirat për parking janë propozuar sipas PZHU-së dhe janë propozuar edhe lokacione në prona publike perreth sheshit ku mund të krijohen mundësi parkimi. Gjithashtu një pjesë e madhe e parkingjeve do të barten në pjesët e pasme të objekteve shumëkatëshe. Teksa sheshi është i qasshëm nga të gjitha rrugët e qytetit që atakohen me të.
Kurse në pjesën e parkut, përmes dizajnimit të shkallëve pushimore parku do të intergohet në shesh duke rritur cilesinë e tij dhe duke larguar ndjenjën e pasigurisë që krijohet aktualisht nga prezenca e rrethojave dhe mureve. Bimësia e parkut do të integrohet dhe përdoret për hapësira të reja gjelbërimi që do të dizajnohen përgjatë sheshit.
Përgjatë sheshit do të ketë edhe disa oaza. Janë 5 lloje të tyre që ofrojnë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve të ndyshme për interese dhe grupmosha të ndryshme. Në to do të ketë hapësira për lojra për fëmijë, kioska, gjelbërim, fontana, etj. Kopeshtet në shesh do të jenë drenazhuese sipas projektit, pasi do të përdorin edhe ujin e mbledhur nga reshjet atmosferike, për ta përdorur në ditët e thata.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)