Aktuale
Muhaxheri i quan tendencioze të gjeturat e Auditorit për Pejën
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/Debati_Pej_025-e1455013553492.jpg)
Komuna e Pejës gjatë vitit 2018 nuk ka bërë menaxhim adekuat të pronave komunale të dhëna me qira. Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Komuna e Pejës ka dhënë me qira prona pa ndjekur procedurat. Por, i pari i Pejës, Gazmend Muhaxheri po kundërshton raportin e Auditori, raporton Ndërtimi.info.
Sipas ZKA-së, 70 prona komunale ishin dhënë me qira pa ankand nga Komuna e Pejës.
“Komuna nuk kishte një data bazë të saktë dhe të plotë të pronave të dhëna me qira. Na janë ofruar lista të ndryshme ku njëra kishte 42 prona me qira, kurse tjetra kishte 29 prona me qira. Këto prona ishin dhënë pa ankand me përjashtim të një prone që në vitin 2018 ishte dhënë me ankand. Në tri raste nuk kishte informata në lidhje me kohën e dhënies me qira dhe afatin e skadimit të kontratave”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Kjo zyrë thekson se mungesa e kontrollit përfshirë një data bazë të pronave të dhëna me qira dhe operimi pa kontrata privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarave gjyqësore në raste të mos arkëtimit të borxhit me kohë.
Auditori rekomandon kryetarin e Pejës, Gazemnd Muhaxherin të analizojë arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe të siguroj se dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme komunale të bëhet vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave.
Muhaxheri, në një përgjigje për Ndërtimi.info, ka kundërshtuar të gjeturat e ZKA-së, derisa i ka quajtur tendencioze.
“Nuk qëndrojnë të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit, pasi që çdo ecuri për dhënien e pronës në shfrytëzim Afatgjatë dhe Afatshkurtër është bërë në përputhje me Ligjin dhe Udhëzimin Administrativ në fuqi, me ç‘rast informojmë opinionin e gjerë se janë dhënë në shfrytëzim gjithsej 11 (njëmbëdhjetë) prona komunale. Me përgjegjësi të plotë konstatojmë se të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk janë në përputhje me realitetit dhe faktet në terren. Për më tepër, të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit i konsiderojmë se janë të natyrës tendencioze dhe jo-profesionale dhe si të tilla vetëm sa i japin një imazh aspak të dëshiruar institucionit të lartpërmendur”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka treguar se sa objekte dhe kisoqe të trashëguar i ka në menaxhim Komuna e Pejës dhe se a për çfarë periudhe kohore janë dhënë në shfrytëzim.
“Sa i përket objekteve të përkohshme me të cilat ne i kemi trashëguar (objekte të ndara para luftës) e që e bëjnë pagesën për shfrytëzimin e pronës publike, janë gjithsej 42 objekte të përkohshme të cilat menaxhohen nga komuna e Pejës, të cilat objekte nuk kanë datë të caktuar se kur përfundon afati i shfrytëzimit pasi që këto objekte mund të qëndrojnë (shfrytëzohen) gjerë në momentin kur K.K Pejë vendos të bëjë largimin e tyre me qellim të realizimit të Planit Rregullues komunal si dhe 70 kiosqe të cilat menaxhohen po ashtu nga Komuna dhe të njëjtat nuk kanë afat të caktuar kohor, por kontrata e shfrytëzimit vazhdohet çdo vit”, ka bërë të ditur Muhaxheri.
I pari i Pejës ka theksuar se Drejtoria për Çështje Pronësoro-Juridike ka filluar menaxhimin e kiosqeve dhe objekteve të përkohshme nga viti 2015 dhe se po ashtu posedon data bazën për objektet të cilat menaxhohen nga Komuna e Pejës.
“Sikur të mos ekzistonte një menaxhim i mirë dhe profesional, Drejtoria për Çështje Pronësore Juridike, nuk kishte qenë në gjendje të realizoj të hyra vjetore për vitin 2018, po nga këto prona dhe pronat tjera komunale shumën prej 192.000.00 euro”, ka shtuar Muhaxheri.
Përveç objekteve dhe kiosqeve që janë dhënë në shfrytëzim, sipas Muhaxherit, Komuna e Pejës ka dhënë edhe hapësira të caktuara për projekte të ndryshme, si projekti për riciklimin/rikuperimin e materialeve të klasifikuara (kjo kontratë është prishur pasi që kontraktori nuk e ka përmbush kontratën); Ndërtimi i Qendrës për përkujdesjen e të moshuarve me të gjitha kushtet bashkëkohore; Projekti për zhvillimin e bletarisë edhe kjo kontratë është prishur pasi që kontraktori nuk e ka përmbush kontratën; Projekti për zhvillimin e aktivitetit kinematografik; Projekti për parkingun të veturave; Projekti për përpunimin e drurit si dhe 5 projekte të tjera për përpunimin e drurit, por që këto të fundit nuk kanë përfunduar për arsye të konteksteve juridike. /Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)