Aktuale
Bukuritë e monumenteve të lashta të Vushtrrisë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/v5.jpg)
Ta vizitosh qytetin e Vushtrrisë, i cili në antikë quhej Viciana – Vicianum, e mos të ndash pak kohë për t’i vizituar disa monumente të saj kulturore e historike, si Ura e Vjetër e Gurit, Kalaja e Vjetër dhe Hamami (banja publike), që janë dëshmi e gjallë e qytetërimit të vjetër antik, është sikur të shkosh në Paris e mos ta vizitosh Kullën e Ajfelit apo në Egjipt e mos t’i vizitosh piramidat e faraonëve.
Ura e Vjetër e Gurit – Është monument i vjetër dhe i veçantë, sepse është urë pa lumë. Janë thurur e shkruar shumë shkrime e legjenda për të. Ekziston legjenda e murimit të nuses në këtë urë, pastaj legjenda e përcaktimit të fatit. Deri në shtator të vitit 2017, zakonisht thuhej se i ka nëntë harqe (megjithëse është shkruar se i ka 12), por në këtë kohë (shtator 2017) u konstatua se ka më shumë dhe janë zbuluar edhe dy të tjera. Koha e ndërtimit të saj ende nuk dihet saktësisht.
Zbulimet më të reja po dëshmojnë se ura është ndërtuar në katër faza, varësisht se si ka devijuar lumi Sitnica më në perëndim, ashtu edhe janë shtuar aneks-harqet tjera, duke vazhduar me shtim të harqeve, me gjasë deri në shekullin e XIV-të. Faza e parë mendohet se ka filluar të ndërtohet rreth shekujve II-III, duke vazhduar deri në shekullin e XIV-të, kur nuk janë shtuar më harqe të tjera. Tash, ky lumë është mbi 500 metra larg nga Ura e Vjetër. Përfundimisht, në fund të shekullit të XVI-të dhe në fillim të shekullit të XVII-të, ura ka mbetur në të thatë.
Në vitin 1977, një grup arkeologësh nga Shqipëria, me në krye Zhaneta Andrean, me rastin e hulumtimit të tyre në Kalanë e Vjetër dhe Urën e Gurit në Vushtrri, konstatuan se këto monumente janë të periudhës romake, pra të kohës antike. E në shkencën e historisë, antika është kohë historike që zgjat deri në shekullin e V-të të Erës së Re. Hulumtimet e fundit arkeologjike e shkencore vërtetojnë se Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri ka ekzistuar që në shekullin e IX-të.
Ura e Vjetër tani është e gjatë mbi 160 metra dhe e gjerë afër 6 metra. Gurët për ndërtimin e saj janë marrë nga një kodrinë në fshatin Samadrexhë (lokalitet i Kohës së Bronzit i viteve 2100 – 1200 para Erës së Re) dhe në Studime të Epërme, fshatra që shtrihen në juglindje të Vushtrrisë.
Kalaja e Vjetër- Posa “takohesh” me këtë kala, që në shikim të parë të bie në sy që ajo dallon nga të tjerat, ngase është e ndërtuar në pozitë të rrafshët gjeografike, pra nuk është e ngritur mbi ndonjë kodër apo mal të lartë. Muret e saj në disa vende arrijnë mbi një metër, derisa forma katrore dhe kulla e saj e vënë atraktivitetin e vet. Sapo të futesh brenda, menjëherë thuajse “fluturon” në kohë qindra vjet më parë. Kjo kala quhet “kala e vjetër” nga qytetarët vushtrrias, ngase është e lashtë sa vetë qyteti. Nuk dihet saktësisht kur është ndërtuar, por besohet se i takon antikitetit të mjeshtërve dhe punëtorëve dardanë, me gjasë, shekujve II dhe III, me rindërtime të pjesshme kohë pas kohe, ngase luftërat, dyndjet e popujve pushtues e fatkeqësitë natyrore mund ta kenë dëmtuar, por jo shkatërruar.
Nuk dihet saktësisht se si ka qenë para gjysmës së shekullit të XIX-të. Por duhet shkruar se nga gjysma e dytë e këtij shekulli (XIX), kalaja ka pasur kulm me katër ulluqe – ujëmbledhës (kjo vërehet edhe nga pamja në fotografi) të mbuluar me tjegulla. Po ashtu, shihet se edhe kulla në kala ishte e mbuluar me kulm e tjegulla. Mirëpo, në vitet e 20-ta të shekullit XX, me vendim të padrejtë të organeve të atëhershme pushtuese serbe, kulmi i kalasë ishte shitur në ankand dhe sot e asaj dite, kalaja është pa kulm apo e pambuluar.
Në pjesën e poshtme të murit jugperëndimor të kalasë, nga pjesa e jashtme, ekzistojnë dy gurë piramidalë, të cilët e simbolizojnë bashkimin e princave arbërorë, por edhe mund të tregojnë se nën ata gurë ka qenë kanali nëntokësor, që e lidhte atë me Hamamin. Sipërfaqja është 1000 m2, ndërsa kulla ka 100 m2.
Hamami (Banja publike) – Simbol i pastërtisë, freskisë e higjienës së kohës. Monument i vjetër, që është shfrytëzuar deri në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar. Ishte i tipit tek, pra një ditë pastroheshin meshkujt, një ditë femrat. I ndërtuar apo modifikuar si hamam në gjysmën e parë të shekullit të XV-të, është monument i tipit oriental – osman.
Tregime e legjenda fliten për këtë hamam. Kështu, për shembull, fëmijët – djelmoshat e vegjël, para se ta bënin rrethprerjen (synet), zakonisht dërgoheshin e pastroheshin në këtë hamam.
Për historinë e ndërtimit të Hamamit në Vushtrri, Jusuf Osmani shkruan: “Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar pjesërisht në themelet e banjës romake nga shekulli i III-të i Erës Sonë. Ka mundësi që banja e periudhës romake në shekujt e më vonshëm të jetë shndërruar në kishë shqiptare paleokristiane, ndërsa me ardhjen e osmanlinjve, përkatësisht në vitin 1410, të adaptohet si hamam ose banjë publike, me arkitekturë tipike orientale.
Për hamamin e Vushtrrisë, Iljaz Rexha shkruan: “Ali Beu (Gazi Ali Beu, I.M.), në vitin 1444 e kishte ndërtuar xhaminë dhe banjën publike (hamamin) në Vushtrri, e cila ishte më e vjetra në territorin e Kosovës. Mirëpo, sipas një mbishkrimi në një gur të varrit, që është gjetur në oborrin e kësaj xhamie menjëherë pas luftës së fundit të viti 1999, të cilin e ka deshifruar studiuesi amerikan, Andrea Hercher, profesor i Universitetit të Harvardit, del se xhamia e Gazi Ali Beut është ndërtuar në vitin 1410.
Por për datën e saktë të ndërtimit të kësaj xhamie duhen bërë hulumtime më të thella, meqë guri ishte shumë i dëmtuar dhe nuk dihet saktësisht se a është deshifruar në mënyrë ta saktë dhe, për fat të keq, ai gur sot nuk ekziston, ngase ai gur me kohë nuk është vënë nën mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike”. Duhet shtuar se Gazi Ali Beu ishte kushëri i Mehmet Pashë Zogajt, që ka qenë mësuesi i Skënderbeut në Edrene (kryeqytet i Perandorisë Osmane deri më 1453).
Hamami është objektet i arkitekturës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë, i ndërtuar prej blloqeve të mëdha të gurit të bardhë. Fasada ishte e fuguar, por më vonë, vende-vende është mbuluar me material të bërë nga gëlqerja dhe çimentoja. Pullazi përbehet prej një kupole të lartë përafërsisht 10 metra dhe dy kupolave të vogla prej 4 metrash. Kupolat në pjesën e sipërme kanë vrima të vogla për dritë, dalje te avullit dhe ajrosje.
Në hyrje të hamamit gjendet një korridor me përmasa 4 me 10 metra. Nga këtu hyhet në sallën e madhe për pushim dhe përgatitje për hyrje në larje. Në mes ekzistonte shatërvani, ku tërë kohën ka rrjedhur uji i ftohtë dhe i pijshëm, si dhe dy galeri, në të cilat dikur kanë qenë disa shtretër për pushim pas larjes dhe daljes nga banja.
Nga salla kryesore hyhej në korridorin e brendshëm, i cili përdoret për pushim gjatë larjes. Prej këtij korridori hyhej në dy lokale, ku bëhej pastrimi. Të gjitha lokalet ishin të shtruara me mermer të ngjyrës së bardhë.
Në pjesën lindore të hamamit gjendet vendi i quajtur “qylhan” – vendi për ngrohjen e ujit. Ky proces bëhej përmes zjarrit të druve. Në afërsi të hamamit, deri vonë (ndoshta deri në vitin 2005) ishte tregu i shitjes së mallrave të ndryshme ushqimore dhe gjërave të tjera.
Si furnizohej hamami me ujë? Në anën jugperëndimore të Kalasë së Vjetër, përkatësisht në themelin e saj, gjenden dy gurë në formë të shigjetës apo në formë piramidale, që dëshmon se aty ka ekzistuar diçka. Në këtë vend të kalasë, në një thellësi prej afro dy metrash, ekzistonte depoja e madhe e ujit. Në këtë depo, uji futet nën themelet e kalasë. Nga ky rezervuar e deri te hamami, në një gjatësi prej afro 250 metrash, thuhet se ishte i ndërtuar kanali me diametër rreth një metër. Në popull thuhet se përmes këtij kanali, në rast rreziku, dikur është dalë nga brendia e Kalasë së Vjetër.
*Jehona Hyseni është studente e Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)