Aktuale
Çarshia e Gjkovës në shitje
Tani, lajmi i dhënë po e humb udhën që në krye të Çarshisë. Dikur brenda pak minutash mbërrinte derë më derë deri në fund qindra metra larg. Zejtarët e tregtarët e dyqaneve të vogla përcillnin gojë më gojë lajmin përgjatë rrugës kryesore e rrugicave me kalldrëm.
Së fundmi, lajm për fanatikët e zejeve dhe myshterinjve të rrallë janë bërë vetë zanatlinjtë e dorëzuar, që gjithnjë e më shpesh po ngjitin në kanatat e drunjta letrat e bardha me mbishkrimet e kuqe e të zeza: “Shitet” ose “Lëshohet me qira”. Madje dikush tregon edhe sa ari i ka dhe se shtëpia ka tarracë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Poshtë, numrat e celularëve. Ka doreza të pluhurosura dyersh, që nuk i ka kapur për javë të tëra dora e njeriut. Në çarjen e njërës prej tyre, inkasanti ka një javë që e ka vendosur faturën e ujit.
“Me m’i dhanë 100 mijë euro, në vend e shes”
Çarshia e Gjakovës, mbase qendra më e vjetër tregtare në Kosovë, është në shitje. “Qe e a po e sheh, katër ari i kam, edhe në vend i shes edhe pse nuk e kam në shitje”, thotë theksueshëm Afrim Kurshimlija, teksa me dorën e djathtë kthehet dhe hap derën e oborrit. Me të majtën, mban biçikletën në rrugën me kalldrëm.
“Me m’i dhanë 100 mijë euro, në vend e shes”, shton burri i mbajtur, duke ngulmuar se shumëkush ka gatishmëri ta shesë shtëpinë, edhe pse ende nuk e ka të vendosur mbishkrimin “Shitet”. Ka mbushur, sikur thotë ai, “68 kokrra”, teksa u referohet vjetëve. “Shkruaje lirisht se nuk ka kush që të kundërshton”, thotë Kurshumlija. Në fillim të viteve tetëdhjetë, 280 mijë marka gjermane ia kishte ofruar një blerës, edhe pse nuk e kishte shtëpinë në shitje. Nëna ia kishte kërkuar vendosmërisht ta harronte çfarëdo oferte të leverdishme.
Prapa shpinës së ish-zyrtarit për buxhet në Komunën e Gjakovës, në sy bie ndryshku që ka nisur ta mbulojë drynin e lokalit të vogël me kanatat e mbyllura. “Tash, pesëdhjetë euro me t’i dhanë dikush qira, i je falënderues. Madje i thua: ‘Faleminderit që ma more lokalin’. Çka me dhanë për 20 euro”, thekson Kurshumlija, kryezoti i familjes katëranëtarëshe.
Ngjitur me dyqanin e tij, mbyllur është edhe kafeneja me mure të gurta. “Ma shumë rri mbyllur se hapur”, tregon ai, duke shtuar se Çarshia ka pak më shumë zhvillim vetëm në 200-300 metrat e para, ku disa dyqane zejtarësh janë shndërruar viteve të fundit në kafene.