Aktuale
Ndërtimi i Sheshit të Bazhdarhanes synon transformimin e Prizrenit

Projekti ideor për jetësimin e Sheshit të Bazhdarhanes është prezantuar të premten nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, me ç’rast është thënë se në saje të tij synohet rregullimi i disa problemeve aktuale të qytetit.
Pjesëmarrësit në këtë debat publik kanë mirëpritur idenë e krijimit të një sheshi të ri në qytet, por njëherësh kanë shprehur edhe dilemat për koston eventuale, sikurse edhe kohëzgjatjen e zbatimit të tij, shkruan sot Koha Ditore. Madje në mesin e tyre ka pasur edhe të tillë që këtë ide e kanë cilësuar më tepër si utopi sesa realitet.
Drejtoresha e Drejtorisë së Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, ka bërë të ditur se ky shesh parashihet të realizohet në hapësirën rreth “Shtëpisë së Bardhë”. “Sheshi Bazhdarhane është projekt i cili nëpërmjet ndërhyrjes infrastrukturore në hapësirën përreth ‘Shtëpisë së Bardhë’ hap një perspektivë të re zhvillimore për qytetin dhe Komunën e Prizrenit”, ka thënë ajo.
Ndërsa udhëheqësi i projektit, Jeton Jagxhiu, ka theksuar se ky projekt synon “rregullimin e disa problemeve aktuale të qytetit”.
Projekti për ndërtimin e Sheshit të Bazhdarhanes aktualisht është në fazën e hartimit.
Sipas njoftimit të Komunës, me ketë ndërhyrje infrastrukturore synohet të krijohet një shesh i ri për qytetarët dhe vizitorët, 300 deri në 400 vend-parkingje të reja, tregu i ri dhe të rregullohet mobiliteti urban.
Ndërsa, pos investimeve direkte si efekte anësore të këtij projekti Komuna e Prizrenit do të tentojë të ringjallë bizneset që gjenden në rrugën prej Shatërvanit deri në Bazhdarhane, biznese të cilat aktualisht thuhet se punësojnë rreth 10.000 qytetarë, dhe përmes këtij projekti planifikohet të ruhet trashëgimia kulturore në qendrën historike të qytetit.
