Aktuale
Detajet e projektit për Tregun e Ulpianës në Prishtinë
Qyteti i Prishtinës do të bëhet me një treg modern, saktësisht në lagjen Ulpiana, ku sot është një katrahurë. Me një arkitekturë të veçantë, kryeqytetit do t’i shtohet ky objekt që mund të tërheq vëmendjen edhe të turistëve.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Projekti i Tregut të Ulpianës, i realizuar nga Alfa Product dhe Lutolli Architects, u zgjodh nga Komuna e Prishtinës më i miri nga të gjithë projektet me të cilat ishte aplikuar nga arkitektë e studio të ndryshme të arkitekturës.
Projekti fitues, që do të realizohet në Ulpianë, po konsiderohet se trajton me kujdes të veçantë aspektin arkitektonik, funksional dhe atë social.
Me projektin për këtë treg, arkitektët Blerim Lutolli dhe Arton Qorri nga studiot e arkitekturës Alfa Product dhe Lutolli Architects, i kanë dhënë rëndësi qasjes së lehtë në të.
Arkitekti Blerim Lutolli ka treguar për Ndërtimi.info se në këtë treg janë gjeneruar tri platforma në nivele të ndryshme.
“Kemi ofruar zgjidhje për qasje e lehtë pa barriera fizike dhe vizuale, dhe një shpërndarje logjike të funksioneve në hierarkinë e tyre. Prandaj, janë gjeneruar tri platforma në nivele të ndryshme, që mundëson qasje të lehtë nga këmbësorët në të tri anët e kompleksit. Kompleksi është i shpërndarë në disa nivele të ndryshme horizonale. Një artikulim i tillë i platformave e bën më të lehtë komunikimin, por mbi të gjitha, krijon një ndjenjë të lehtësisë në kontekstin e ngarkuar urban të zonës, dhe shmangë masivitetin e saj nga këndvështrimi pedestrian. Platformat e mbulesës hapen në disa pjesë me gjelbërim, për të mundësuar kështu ndriçim dhe ventilim brenda. E parashtruar si kërkesë për një zgjidhje me karakter e përkohshem të tregut, aspekti i adaptueshmërisë së funksionit ka qenë koncept shtesë në qasjen tonë. Zgjidhjen të cilën ne e kemi ofruar, mundëson që në të ardhmen e afërt tregu lehtë te shndërrohet në një tjetër funksion”, ka thënë Lutolli.
Ndërsa, arkitekti tjetër, Arton Qorri ka treguar se trregu modern që do t’i dhurohet Prishtinës, duke zëvendësuar atë aktualin, do të jetë i ndarë në disa pjesë.
“Programi i projektit është i ndarë në disa grupe. Pjesa e hapur për pemë dhe perime, pjesa e mbyllur për qumësht dhe mish, pjesa e mbyllur e tekstilit, pjesa e gastronomisë, ajo e administratës dhe kthinat teknike”, ka treguar tutje Lutolli.
Në mënyrë që vepra arkitektonike që do të ngritët në kryeqytet të jetë e veçantë, rëndësi i është kushtuar edhe materialve. Lutolli ka bërë të ditur se cilat materiale dominuese do të formësojnë këtë objekt.
“Koncepti ynë për materialet ka qenë ngushtë i lidhur me koston e përballueshme, shprehjen arkitektonike dhe kërkesën për karakter të përkohshme të tregut. Materialet që dominojnë janë metali, druri dhe betoni”, ka shtuar arkitekti Qorri.
Që t’i hapët rrugë ndërtimi të këtij tregu, ende nuk është bërë e ditur se kur do të fillojnë procedurat e prokurimit nga Komuna e Prishtinës.
Mirëpo, arkitekti Blerim Lutolli ka thënë se shpresojnë që Komuna e Prishtinës do të kujdeset që çmimi i ulët të mos jetë determinuesi kryesor në ndërtimin e tregut.
“Sa i përket pjesës së realizimit të projektit, çmimi luan rol shumë të rëndësishëm, qoftë në aspektin e përgjithshëm arkitektonik, funksionimit te duhur, mirëmbajtjes së lehtë dhe jetëgjatësisë së objektit. Nga praktikat e deritanishme kemi pa se shume objekte publike te cilat janë realizuar në dy dekadat e fundit ne Kosovë, shpesh janë dëmtuar me ç’rast janë bërë jo funksionale. Ne bindshëm shpresojmë në mbështetjen e Komunës që çmimi i ulet mos të jetë determinuesi kryesor në ndërtimin e tregut”, ka thënë Lutolli.
Nga Komuna e Prishtinës në njoftimin për zgjedhjen e projektit për Tregun e Ulpianës, kanë thënë se tregu i ri do të ofrojnë kushte cilësore për qytetarët dhe afaristët që ofrojnë shërbime aty./Ndërtimi.info/