Aktuale
Lekaj: Autostrada e Dukagjinit do të kushtojë 560 milionë euro, pa shpronësime
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke folur për autostradën e Dukagjinit ka thënë, kjo autostradë do të ketë 4000 persona të punësuar e që sipas tij, autostrada do të ketë impakt pozitiv në jetën e qytetarëve.
Ai ka shtuar se ajo do të jetë, 91 km e gjatë, ndërkaq do të kushtojë afërsisht 560 milionë euro pa shpronësim.
Sipas tij, shpronësimi është diku 40% e pronave private, pasi që sipas tij, kanë menduar të ruhet toka pjellore. Ai thotë se shpronësimi është me kritere dhe çmim të caktuar.
Lekaj ka thënë se janë duke punuar me dizajnin e projektit dhe sipas tij deri në fund të gushtit do të kryhet projekti, ndërkaq nga mesi i tetorit do të fillojnë procedurat.
“Unë nuk e di nëse Bechtel Enka do të fitojë prapë. Sa i përket huazimit, Kosova ka huazim publik shumë pak krahasuar me shtetet tjera”, ka shtuar ai.
Ai thotë se investimi në autostrada është i duhur për mirëqenien e qytetarëve.
Lekaj tutje ka shtuar se në takimet me qytetarët, ai merr përkrahje dhe kërkesa për asfaltim të mëtutjeshëm.
Lekaj ka konfirmuar se Bechtel & Enka-s i janë paguar 53 milionët e penalltisë, të kontestuara nga opozita e tanishme, veçmas nga LDK-ja që ka udhëhequr Ministrinë e Infrastrukturës në mandatin e kaluar.
“Po. Ne i kemi paguar me kohë, sipas zotimit dhe sipas kontratës. Nuk kemi më probleme me Bechtel Enka-n”, ka thënë Lekaj, teksa ka konfirmuar po ashtu edhe se konsorciumi është dënuar 11 milionë euro për vonesa në punë dhe dublifikime të disa punëve.
Ai ka treguar se kostoja e përgjithshme e kësaj autostradës “Arbën Xhaferi” kap shifrën e 640 milionë, pa shpronësime të cilat bien barrë e buxhetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Me to kostoja arrin në 800 milionë euro.