Arkitekturë
Bizzoni: Në Prishtinë nuk pëlqehet drita artificiale
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/66317424_2320957311325375_714141001333080064_n.jpg)
Për temën “Electric Sun” (Dielli Elektrik), para publikut kosovarë në “Kino Armatë”, ka ligjëruar mbrëmë artistja dhe fotografja e njohur nga Italia, Jessica Bizzoni.
Bizzoni e cila në Prishtinë po qëndron në kuadër të Festivalit të Arkitekturës, ka folur për impaktin e dritës elektrike në kohën tonë si dhe përdorimin e saj.
E mënyrës se si i përshtaten banorët e Prishtinës dritës artificiale, Bizzoni ia ka bërë edhe një analizë.
Sipas kësaj analizeje kryeqytetasit nuk po dalin të jenë shumë dashamirë të dritës artificiale, transmeton Ndërtimi.info.
“Ne analizuam edhe si sillen njerëzit në errësirë. A ecin gjatë dritës artificiale apo preferojnë të qëndrojnë më në errësirë. Ajo çfarë kuptuam është se në bulevardin kryesor njerëzit preferojnë të qëndrojnë më shumë në errësirë, shumica prej tyre”, u shpreh ajo.
Sipas saj, rëndësi të madhe ka edhe laramania e ngjyrave. Ajo do të mund të krijonte një identitet të caktuar për Prishtinën, i cili nuk ishte menduar të krijohej më parë.
“Një tjetër gjë që e analizuam në Prishtinë janë edhe ngjyrat e dritës, sepse ngjyra dhe rrezatimi krijojnë një atmosferë të caktuar dhe në këtë mënyrë krijohet edhe identiteti i qytetit. Kur filloni të luani me më shumë ngjyra, ju mund të krijoni një identitet i cili nuk ishte planifikuar më parë të krijohet”, theksoi ajo.
Në kontrast me Kosovë, holandezët e preferojnë më shumë dritën elektrike. Kjo për shkak se, Bizzoni përmendi edhe shtëpitë e gjelbra në Venlo të Holandës, që përdorin dritë artificiale. Ato janë tejet të ndriçueshme dhe mund të shihen nga një largësi prej 10 deri në 20 kilometra.
“Ajo çfarë po shihni këtu është qyteti Venlo dhe është në pjesën jugore të Holandës. Koha kur është bërë kjo fotografi është gjatë verës, rreth orës 13:00 pasdite dhe shkëlqimi i verdhë që e shihni janë shtëpitë e gjelbra, që shihen nga 10 kilometra deri në 20 kilometra, nga qendra e qytetit. Në fillim nuk e dija se çfarë ishin derisa dikush më shpjegoi që këto ishin shtëpi të gjelbra. Rreth orës 5 pasdite fillojnë të shkëlqejnë dhe ndërrojnë ngjyrë mëngjesin e ardhshëm, rreth orës 8 të mëngjesit” deklaroi ajo.
Jessica Bizzoni ka përmendur edhe disa nga rreziqet e përzgjedhjes së gabuar të ngjyrave, tek drita artificiale.
Ajo ka theksuar se një formë shumë e zakonshme ndaj së cilës i ekspozohemi më shumë rrezikut ndaj dritës artificiale është edhe drita e kaltër nëpër ekrane të telefonit ose të kompjuterit.
Artistja 29 vjeçare nga Italia ka përmendur dy ngjyra të tjera alternative, të cilat do të mund ta zëvendësonin ngjyrën e kaltër.
“Ekziston aplikacioni i cili e bllokon ngjyrën e kaltër në telefon. Ekrani i telefonit dhe i kompjuterit emeton ngjyrën e kaltër. Ngjyra e kaltër në këto pajisje nuk është e mirë për njerëzit, veçanërisht gjatë natës. Tashmë është një opsion për ta shmangur emetimin e ngjyrës së kaltër. Opsioni është që të bëhet ekrani i verdhë ose ngjyrë portokallie, sepse kur përcjellet ngjyra e kaltër gjatë natës balanci në mes srotoninës dhe melatonins nuk është më stabil dhe nuk prodhojmë më serotonin, për këtë arsye duhet t’i mbajmë gjithmonë larg vetës”, potencoi ajo.
Kujtojmë se “Electric Sun” është pjesë e projektit “Inhabit the artificial night scape”, dhe është ekspozuar ndër të tjera edhe gjatë Equilibrio Sottile në “Fotografica 2018”, kuruar nga Denis Curti dhe në Muajin Evropian të Fotografisë në Berlin, në vitin 2018./Ndërtimi.info.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)