Aktuale
Dy familje shqiptare në konflikt për një ish-pronë të një malazezi
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/5173C5A4-5B60-4734-B2BB-8EA2F4301BF8.jpeg)
Një tokë në Fushë Kosovë është bërë mollë sherri në mes të dy familjeve. Të dy familjet pretendojnë se kanë të drejtë në këtë tokë të cilën thonë se e kanë blerë nga një malazez.
Madje ky i fundit është sulmuar fizikisht nga njëri nga personat që pretendon se toka i takon atij. Policia e ka arrestuar personin në fjalë ndërsa të enjten prapë ka pasur konflikt në mes familjeve Sylkaj dhe Bekteshi.
Selim Sylkaj vitin e kaluar është kthyer nga Suedia, vendin në të cilin po jetonte me vjet, për të investuar në Kosovë. I njëjti është interesuar edhe për blerjen e një toke në Fushë Kosovë, për të filluar punimet. Sylkaj tregon për KosovaPress se ka bërë marrëveshje për blerjen e kësaj toke, me malazezin Millosh Zhivkoviq, tokë kjo në të cilën aktualisht është duke punuar dikush tjetër.
“Unë kam grumbulluar një buxhet me ardh me investu në Kosovë, se nuk po më rrihet më atje, kam hasur në një kontakt me malazezin, ky është malazez pronari i tokës, dhe jemi njoftuar me një të tij në Suedi dhe e kam një mik timin e ka një parcelë, mundet me marrë. Kam biseduar, dhe fillova që të bëjë një marrëveshje, por nuk po lejojnë këta. Po insistojnë që është e tyre, e kanë blerë para 20 viteve, unë gjithmonë insistoj në dokumentacionin, fletë poseduese dhe kopja e planit për mua vlejnë”, thotë Sylkaj.
Ai zotohet që ka dokumente që kjo tokë prej dy hektarësh është e tij, dhe se ka fletën poseduese. Thotë se Zhivkoviqi i kishte thënë se e kishte fituar kontestin gjyqësor, dhe se kjo tokë është e tij. Për çka pala tjetër, sipas tij, e kishte rrahur malazezin, të shtunën.
“Kanë ardh të shtunën e kaluar me 29 qershor, kanë ardhur në orën 15:00 me punu sipas rregullave, fletë poseduese, kopja e planit edhe kanë ardhur na kanë penguar, kam thirr policinë. Policia kanë ardhur, kanë asistuar edhe kemi marrë një marrëveshje që deri në ora 18:00 në mbrëmje me largu pasurinë prej këtu. Në orën 17:30 ka ardhur Fahria vet i gjashti, ne kemi qenë ulur atje… ka qenë i armatosur me pistoletë edhe unë kam menduar që po përshëndeten mes vete, i ka ra pronarit, e kanë rrah, ka ndërmjetësuar policia”, thotë ai mes tjerash.
Sylkaj thotë se nëse pala tjetër nuk e liron pronën sot, do të vijë me makineri të rëndë dhe do të fillojnë punën.
Pavarësisht akuzave të Sylkaj, ndryshe thotë Fahri Bekteshi, i cili aktualisht është duke punuar në këtë tokë.
Ai për KosovaPress tregon se nga kush i kishte blerë dy hektarët, 18 vite më parë. Tutje thotë se ky rast është në kontest gjyqësor që pesë vjet me malazezin.
“Kjo pronë ka qenë e ‘Shpad Comercit’ të Sarajevës, ka qenë në proces gjyqësor qe 18 vjet. Ne e kemi bërë një marrëveshje me këta, për blerje, i kemi dhënë disa para, e ndërkohë ka dalë një serb i Leskovcit e ka bërë një fletë poseduese në dy hektarë. Prej dy hektarë e gjysmë, dy hektarë janë ndarë ia kanë qitur serbit të Leskovcit edhe e kanë qit fletën poseduese. Por, e kemi ne një kontekst gjyqësor që pesë vjet me serbët… kanë ardhur me zor me hi në pronë, që është ende kontestuese”, thotë Bekteshi.
I njëjti mohon ta ketë rrahur të shtunën Zhivkoviqin, i cili pretendon të jetë pronar i tokës. E gjithë kjo sipas tij është një mashtrim nga ai, për çka thotë se edhe ia ka shitur tokën disa personave.
“Është mashtrim nga serbi, konfliktin po e bën serbi, nuk po e bëjmë ne. Se ai duhet me prit vendimin e gjyqit, jo me pru ai njerëz, bandita, hajna edhe me thonë po e liroj unë. Edhe këta po i ndihmojnë, për interesa të tyre normal, se i kanë edhe ata interesat e veta”, thotë ai mes tjerash.
Bekteshi thotë se qe pesë vjet po pret të merret një vendim nga Gjykata e Apelit, meqë është në kontest gjyqësor. Në rast se merret vendim për të liruar pronën, thotë se do ta lirojë.
Për rastin e rrahjes ka raportuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet: “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull-serb shtetas i Serbisë me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njësiti policor gjatë kontrollit në trupin e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë me një karikator dhe 13 fishekë. Lidhur me rastin janë intervistuar edhe katër persona meshkuj K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.
Të enjten në pronën për të cilën po thuhet se është e kontestuar ka qëndruar edhe Policia e Kosovës, për parandalimin e ndonjë incidenti në mes të këtyre dy palëve.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)