Aktuale
Qeveria e shlyen gjithë gjobën 53 milionëshe që ia kishte Bechtel-Enkas
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/arben3.jpg)
Detyrimet e Kosovës ndaj kompanisë turko-amerikane “Bechtel&Enka”, kanë marrë fund. Gjoba prej 53 milionë euro që kjo kompani i kishte vënë shtetit për zvarritje të punimeve dhe vonesa në pagesa është paguar më në fund.
Shlyerjen e këtij borxhi e ka konfirmuar për Gazetën Express vetë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ndryshe, “Arbën Xhaferi” është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti dhe i ka kushtuar buxhetit rreth 700 milionë euro.
Kosova nuk i ka më asnjë cent borxh kompanisë që ndërtoi autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin. Gjoba që “Bechtel&Enka” i kishte vënë shtetit të Kosovës për zvarrite të punimeve dhe vonesa në pagesa është shlyer më në fund.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë Gazetës Express se borxhi ndaj kësaj kompanie është paguar.
“Janë paguar të gjitha obligimet përpos punës shtesë. 53 milionëshi është paguar. Për datë nuk e di sepse shkon nëpërmjet sistemit të financave”, ka thënë Lekaj për Express.
Ndryshe, për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.
Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.
Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.Ky vendim i të parit të ekzekutivit ishte vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.
“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.
Autostrada “Arben Xhaferi” që shkon nga Prishtina drejt Shkupit, deri në Han të Elezit, i ka kushtuar shtetit të Kosovës pak mbi 600 milionë euro fillimisht. Mirëpo, problemet me pagesa kanë bërë që shteti të detyrohet për të paguar penalti prej 53 milionë eurosh, që në fillim ishin 63 milionë, mirëpo më pas u zvogëluan nga negociatat.
Çmimi fillestar i autostradës “Arbën Xhaferi” ka qenë 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent, mirëpo më pas pas ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%, çmimi u rrit për 8 milionë euro, pra në 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent.
Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Më pas u shtye për në 31 dhjetor 2018, mirëpo lëshimi në qarkullim ndodhi më 29 maj 2019.
Në këtë rrugë është e vendosur ura (vijadukti) më i gjatë në Ballkan. Ajo ka gjatësi të saktë 5814 metra. Kurse e gjithë autostrada ka gjatësi prej 65 kilometra.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)