Connect with us

Trashëgimia

400 vjetët e Mullirit të Breznicës

Published

on

Jo me 400 vjet, por aq sa për t’i rrëfyer historitë rreth mullirit të fshatit Breznicë, të përcjella nga babai e gjyshi i tij. Karafil Duraku (80) tregon për rindërtimet e gjërat që kishin ndodhur brenda mureve të Mullirit të Ismajlit. Si kryemjeshtër, Karafili, me ndihmën vullnetare të banorëve dhe kredisë së siguruar nga Titoja, për herë të tretë iu dha jetë mureve, duke mos e prekur themelin e tij.

Shkruan: Liridon Spahiu

“E kemi ndërtuar së bashku me banorët e fshatit, ndihmë kemi pasur edhe nga Titoja. Me ndihmën e kredisë nga ai i siguruam çimenton dhe dërrasat për ta rindërtuar këtë mulli edhe njëherë. Gurët dhe materialin tjetër i siguronim vetë ne fshatarët”, thotë plaku, derisa me sytë e mbushur me lotë e hapi derën e këtij mulliri të vjetër 400 vjet.“Themelet janë ashtu siç kanë qenë, ne vetëm i kemi forcuar për të mos na u rrënuar më’’, shtoi Karafili tek kërkonte karrigen që e kishte bërë vetë.Sasitë e bluara në ditë ishin të ndryshme, tregon Karafili duke u ofruar sëndukëve të vjetër. Njëqind kilogramë ishte sasia më e vogël që mund të ketë bluar ky mulli. Ai ishte i ndarë për shtatë mëhallë. Ata e kishin nga një ditë në dispozicion për të bluar, e ndonjëherë gjatë stinës së verës, për shkak të mungesës së ujit në fshat, ata ishin të detyruar që drithërat t’i dërgojnë në fshatrat përreth, si në Vranjë, Tërstenik dhe Përlepnicë.

E disa banorë që nuk kishin mundësi të shkonin në këto fshatra, grurin e bluanin me mokra (pajisje për bluarje të grurit me dorë), tregonte ai, derisa njëkohësisht po mundohej të improvizonte me lëvizje te duarve për të treguar se si bluheshin drithërat dhe gruri me dorë.

Tri herë i rindërtuar mbi të njëjtin themel

Filloi të rrëfente se çfarë i kishin treguar gjyshi dhe i ati i tij.

“Ky mulli është rindërtuar tri herë për shkak se vërshimet e mëdha të ujit e kishin dëmtuar atë, mirëpo diçka mbeti e veçantë. Ai u rindërtua gjithmonë mbi të njëjtin themel ku ishte në fillim dhe kështu lashtësia e tij tani ka arritur në 400 vjet”, po vazhdonte ai. Mezi i mbante lotët derisa fliste.

“Ishte muaji shkurt. Të gjithë erdhën dhe më njoftuan që mulliri përsëri ra. Kjo ndodhi pasi që isha kryemjeshtri i vetëm në atë fshat. E rindërtuam me forcat tona, na ndihmoi edhe Titoja me një kredi, e cila i përfshinte çimenton dhe dërrasat. Punën tjetër e bëja vet, me ndihmën e banorëve, të cilët, përpos ndihmës që e ofronin, nuk hezitonin edhe të ndihmonin në mënyrë fizike në ndërtimin e tij”, shtoi Karafili.

Tani, ky mulli, edhe pse është në gjendje të bluaj ende, nuk përdoret pothuajse nga asnjë banor. Shkaktarët kryesorë janë makinat moderne, mungesa e ujit dhe zhvillimi dhe avancimi i teknologjisë në masë të madhe. Por sipas plakut, buka më asnjëherë nuk e ka pasur shijen e mirë  që e kishte dikur, kur e bluanin grurin në këtë mulli.

Përveç drithërave për bagëti, në këtë mulli më nuk bluhet grurë si dikur.

Gjakmarrje në mulli                                          

Nga gojëdhënat e treguara më herët, të cilat janë përcjellë për breza me radhë, Karafili na rrëfen edhe një ngjarje të tmerrshme, e cila ka ndodhur brenda mullirit.

Derisa ai ishte i vogël, i ati ia kishte rrëfyer ngjarjen që kishte ndodhur në këtë mulli.

Ai i kishte vetëm 10 vjet, kur babai e mori afër vetes dhe u ulën pranë oxhakut. Kishte filluar t’ia tregojë një histori krejtësisht të pazakontë nga ato të tjerat. Nga belaja e dy familjeve, të cilët ishin në gjakmarrje në katundin e Breznicës, plaku tregon se një person mbeti i vrarë brenda mullirit.

“Vrasja në mulli u bë ngase vetëm aty mund të takoheshin ato dy familje. E dinin ditën se kur do të bluanin dhe në një nga ditët e rezervuara për njërën familje, në shtëpi, së bashku me miellin dhe drithin e bluar, iu shkoi edhe një kufomë. Kjo për shkak se mbeti i vrarë kryefamilijari që u qëllua pa mëshirë pas shpinës. Ai ishte duke e siguruar bukën e gojës për familjen’’, tregon ai.

Mirëpo kjo ishte e vetmja ngjarje e pazakontë. Sipas plakut, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë më vrasje, edhe pse përleshjet fizike nuk ishin të rralla. Sidoqoftë, ato asnjëherë nuk kishin shkuar në atë pikë sa të ndodhte edhe një tjetër vrasje brenda atyre mureve të vjetra.

Tri kilometra nga xhandarmëria serbe

Nga një dritare e vogël dukej kazerma që e kishte ndërtuar xhandarmëria serbe. Ajo gjendej vetëm tri kilometra larg mullirit.

Derisa ai po tregonte me gjeste e me një buzëqeshje në fytyrë, e nisi tregimin e tij se si asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përleshje, problem apo fyerje nga ana e policisë dhe xhandarmerisë serbe, përkundër faktit që mbi dhjetë herë në ditë kanë kaluar skaj mullirit, deri te pika kufitare e tyre.

“Gjithmonë i kemi përshëndetur dhe na kanë kthyer në mënyrë të njëjtë, ndonjëherë edhe iu kemi dhënë miell, drithëra apo edhe bukë. E tërë kjo ka ndodhur për shkak të raporteve të mira si dhe punësimit të disa fshatarëve në radhët e policisë dhe xhandarmerisë serbe”, sqaron ai.

Gjithashtu , sipas tij, qysh nga koha kur serbët e filluan sundimin në tokat e Kosovës deri në ditët e sotme, asnjë banorë i këtij fshati nuk ka pasur ndonjë problem me policinë, por as me xhandarmerinë serbe.

*Liridon Spahiu është student i Departamentit të Gazetarisës së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

Trashëgimia

Në Bostan të Novobërdës fillojnë gërmimet arkeologjike

Published

on

Në lokalitetin arkeologjik të fshatit Bostan në Komunën e Novobërdës, kanë nisur hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike.

“Përmes zbulimeve arkeologjike formësohet historia e lashtë e vendit tonë.”, deklaroi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ky lokalitet  në mesin e banorëve njihet me emrin “Gumnishtë” dhe ndodhet në lartësi mbidetare 957m, ndërsa qëllim i këtij hulumtimi është konfirmimi i një qendre banimi që lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.

Continue Reading

Trashëgimia

Gjendet një vend me përplot bukuri natyrore në Kalanë e Vuçakut në Drenas

Published

on

Gjendet në një vend me përplot bukuri natyrore dhe potenciali e rëndësia historike që ka e bën tejet të veçantë Kalanë e Vuçakut në Drenas.

Ndërhyrjet në këtë kala kanë nisur dhe në fokus kanë pastrimin, konservimin e strukturave dhe përgatitjet që ky monument të jetë në shërbim të turizmit kulturor.

“Ky do të jetë një vit intensiv me punë në arkeologji”, deklaroi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trashëgimia

Restaurohet shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova si aset i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore

Published

on

Shtëpia e familjes Kryeziu nga Gjakova, me arkitekturë tradicionale të fundit të shekullit VIII-të gjendet në pjesën e vjetër të qytetit dhe ka pamje mbresëlënëse.

Ndodhet mes Muzeut Historik dhe hapësirës ku është i vendosur busti i Sylejman Vokshit.

Gjakova njihet si qytet i kulturës, traditës dhe qytetërimit. Investimet në ruajtjen trashëgimisë kulturore nga MKRS nuk do të ndalen./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending