Connect with us

Aktuale

Asnjë legalizim i ndërtimeve pa leje që nga shkurti i vitit 2017

Published

on

Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës. Por, gati dhjetë muaj pas, ende nuk është bërë asnjë legalizim, pasi që mungojnë disa udhëzime administrative të cilat e kompletojnë këtë ligj.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë konfirmuar se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, sipas ligjit të ri, ende nuk ka filluar.

Në një përgjigje me shkrim, në MMPH kanë thënë se janë në fazën përfundimtare të kompletimit të bazës ligjore, që i hapë rrugë fillimit të këtij procesi. Sipas përgjigjes, “pesë udhëzime administrative janë në procedurat finale për miratim” nga ministri i këtij dikasteri qeveritar, Fatmir Matoshi.

“Procesi i legalizimit sipas Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje akoma nuk ka filluar, dhe aktualisht nuk kemi aplikime nga qytetarët për ndërtimet e tyre pa leje. Me kompletimin e bazës ligjore, ky proces do të rifillojë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Nuk mund të flasim tani për numrin e ndërtimeve pa leje, pos atyre të publikuara nga procesi i kaluar i legalizimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Arkitekti Arbër Sadiki, tha për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë sesi ministria ende nuk e ka kompletuar bazën ligjore me udhëzime administrative dhe rregullore për të rinisur procesin e legalizimit.

“Është e pakuptimtë që një ligj të mos mund të fillojë implementimi i tij, kur hartimi i ligjit është shumë më i vështirë, në kuptimin profesional, sesa nxjerrja e dy-tri rregulloreve të cilat e bëjnë të zbatueshëm atë. Po bëhet pothuajse një vit që kur kaloi ligji dhe nuk ka akoma një rregullore që e bën atë të zbatueshëm, të paktën për ata që kanë shprehur interesim, është vërtetë një detyrë të cilën nuk e ka përmbushur ministria gjegjëse e cila është dashur t’i nxjerrë rregulloret për ta bërë të zbatueshëm ligjin”, tha arkitekti Sadiki.

Por, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është ndërprerë qysh më herët – një vit e gjysmë para miratimit të ligjit të ri.

Kjo pasi, në fillim të vitit 2017 është shfuqizuar automatikisht Ligji paraprak për trajtimin e ndërtimeve pa leje, pasi që ai kishte klauzolë kohore që e mbante atë në fuqi për tre vjet – nga 4 shkurti 2014, deri në datën e njëjtë të vitit 2017.

Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkë me komunat, patën identifikuar dhe evidentuar më shumë se 350 mijë ndërtime pa leje në tërë Kosovën.

Sipas Regjistrit Kombëtar të Ndërtimeve Pa Leje, ku janë të regjistruara ndërtimet ilegale deri në shtator të vitit 2015, Prishtina ka numrin më të madh të ndërtimeve ilegale apo më shumë se 46 mijë. Në pesëshen e komunave më së shumti ndërtime pa leje hyjnë edhe Ferizaj e Gjilani me nga 32 mijë ndërtime ilegale, Prizreni me 27 mijë dhe Malisheva me 19 mijë sosh.

Ndërsa nga 15 mijë ndërtime ilegale janë evidentuar në Lipjan dhe Suharekë, nga 14 mijë në Drenas dhe Rahovec,13 mijë në Pejë, nga 12 mijë në Dragash dhe Klinë, 11 mijë në Deçan, ndërsa komunat tjera më pak se 10 mijë ndërtime pa leje.

Megjithatë, interesimi i qytetarëve për procesin e legalizimit, ishte shumë i vogël në krahasim me numrin e ndërtimeve pa leje. Sipas MMPH-së, në periudhën shkurt 2014 – shkurt 2017, ka pasur rreth 8400 aplikime për legalizim, ndërsa janë bërë rreth 2000 legalizime.

Arkitekti, Arbër Sadiki e vlerëson “pothuajse plotësisht të dështuar” procesin e legalizimit me ligjin paraprak, për shkak të kostos së lartë financiare për legalizim dhe mosinteresimit institucioneve dhe investitorëve.

Madje, sipas tij, mosveprimi i institucioneve ka krijuar një situatë të vështirë për banuesit e ndërtesave kolektive pa leje ndërtimi, pasi sipas tij, investitorët pas shitjes së apartamenteve “nuk kanë interes për t’iu nënshtruar procesit të legalizimit.

“Ju e dini që një pjesë e madhe e objekteve që janë ndërtuar pa leje janë objekte shumë-banesore, të cilave me ligjin e kaluar u është mundësuar të bëhet shitja pa qenë të regjistruar fare, si rrjedhojë pothuajse të gjithë apartamentet në këto objekte janë shitur. Dhe, ato momentalisht i posedojnë në një farë mënyre, por jo në kadastër, njerëzit që i kanë blerë, mirëpo investitori apo ndërtuesi më pothuajse nuk ekziston dhe ai më nuk ka kurrfarë interesi që të bëjë një regjistrim të pronës në kadastër, për shkak se ai faktikisht qarkullimin financiar veç e ka bërë”.

“Ky grupacion mendoj se është grupacioni më problematik, sepse askush prej blerësve, individualisht nuk ka mundësi organizohet i gjithë bllokut që të bëjnë procesin e legalizimit”, theksoi Sadiki.

Ai nënvizon se “investitori apo ndërtuesi pothuajse nuk ekziston më dhe ai më nuk ka kurrfarë interesi që të bëjë një regjistrim të pronës në kadastër, për shkak se ai faktikisht qarkullimin financiar veç e ka bërë”.

Sadiki shpreson që ligji i ri, i miratuar vitin e kaluar, të jetë më praktik dhe me kosto më të ulët financiare, në mënyrë që interesimi për legalizim të jetë më i madh.

Në MMPH vlerësojnë se “numri kaq i madh i ndërtimeve pa leje paraqet sfidë të jashtëzakonshme për ministrinë dhe komunat”. Sipas kësaj ministrie, “është paraqitur nevoja për të krijuar lehtësime në procesin e legalizimin përmes uljes së taksave dhe thjeshtëzimit të proceduarave”, të cilat thonë se janë përfshirë në ligjin e ri.

“Këto ndryshime tashmë janë reflektuar në Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje i cili ka hyrë në fuqi më 5 shtator, 2018, ku vlen të ceken këto ndryshime: Procedura të thjeshtuara për legalizim dhe regjistrim në Kadastër për të ndihmuar qytetarët t’i gëzojnë të drejtat e tyre pronësore dhe të realizojnë përfitime nga prona e tyre; Taksa më të lira, një (1) euro për metër katror për kategorinë e parë të ndërtimeve dhe dy (2) euro për metër katror për ndërtimet e kategorisë së dytë; Përgjegjësi dhe obligime më të qarta për institucionet përkatëse – përfshirja e të gjithë akterëve në implementim dhe zbatim efikas të Ligjit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë, lidhur me ndryshimet në ligjin aktual nga ai paraprak.

Në mesin e lehtësimeve tjera që, sipas ministrisë, i krijon ligji i ri janë ofrimi i shërbimeve nga komunat përmes një zyreje të vetme për legalizimin e ndërtimeve pa leje, inkorporim të ndërtimeve të legalizuara në dokumentet e planifikimit hapësinor, programe të veçanta për trajtim të ndërtimeve ilegale në prona publike, shoqërore, toka bujqësore e zona të mbrojtura.

Për dallim nga ligji paraprak, i cili i kishte trajtuar ndërtimet pa leje të identifikuara deri më 30 gusht 2013, ligji aktual trajton të gjitha ndërtimet pa leje të identifikuara deri në datën e hyrjes së tij në fuqi (5 shtator 2018).

Në më shumë se 350 mijë ndërtime pa leje të evidentuara në gjithë vendin bëjnë pjesë edhe ndërtime të paraluftës, por vlerësohet se shumica prej tyre janë pas vitit 1999.

Gjatë luftës së fundit, pos humbjeve në njerëz, në Kosovë u shkatërruan edhe një pjesë e madhe e pronave private dhe publike.

Të sfiduar nga nevoja për strehim, në vitet e para të pasluftës shumë njerëz ndërtuan shtëpi të reja, qoftë mbi themelet e ndërtesave të djegura e shkatërruara apo në pjesë tjera të pronave të tyre.

Por, më vonë sektori i ndërtimtarisë mori vrull të pakontrolluar dhe pësoi ndryshime, ndërsa fokusi kaloi nga ndërtimet individuale tek ato kolektive, veçmas në qendrat e urbanizuara.

Shumica këtyre ndërtimeve u bën pa iu nënshtruar procedurave ligjore, për pajisje me leje ndërtimi, dhe në kundërshtim me planet urbanistike.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending