Featured
Raporti i Progresit me një varg vërejtjesh për Qendrën Historike të Prizrenit

Edhe përkundër faktit se Qendra Historike e Prizrenit (QHP) është një Zonë me Mbrojtje të Veçantë, kjo mbrojtje nuk i siguron kësaj qendreje mosdëmtimin e objekteve që përbëjnë një rol të rëndësishëm në Trashëgimin Kulturore të Kosovës, e që për vite të tëra kanë krijuar një identitet të vendit tonë.
Raporti i Progresit për vitin 2019-të, për Kosovën, nuk la pa gjetur as ngecjet të cilat janë të pranishme në këtë qendër historike, raporton Ndertimi.info.
Sipas raportit, për këtë vend nevojitet një vigjilencë e vazhdueshme për shkak se objektet dita-ditës po dëmtohen. Por, nga Komuna e Prizrenit po konsiderohet se në këtë drejtim janë kryer shumë punë deri tani dhe se janë caktuar masa ndëshkimore përkatëse për tejkalimet ligjore.
Lis Dorambari nga zyra për medie e Komunës së Prizrenit, për Ndërtimi.info, thotë se Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit është marrë me shumë punë që i përkasin anës ligjore.
“Qendra Historike e Prizreni siç dihet ka një ligj të veçantë për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të saj. Në këtë aspekt, Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka kryer shumë punë që i takojnë asaj nga ky ligj, duke caktuar masa ndëshkimore për tejkalimet ligjore, si dhe ka bërë largimin e konstruksioneve të ndërtuara jashtëligjshëm, largimin e reklamave me dimensione të mëdha dhe ka marrë masa për rrënimin e atyre pjesëve të objekteve që kanë tejkaluar lejen ndërtimore”, bën të ditur Dorambari për Ndërtimi.info.
Por, një tjetër mendim për këtë çështje ka Enes Toska, nga Organizata Joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, i cili thotë se gjetjet e Raportit të Progresit, në lidhje me Qendrën Historike të Prizrenit janë një reflektim mbi gjendjen aktuale të kësaj qendreje.
Sipas tij, ende ka shkelje të ligjeve dhe zhvillime të paktrolluara të cilat nuk mbikqyren.
“Raporti veçse reflekton gjendjen e vërtetë në terren sepse pos vlerave të larta të trashëgimisë që posedon Qendra Historike e Prizrenit si dhe një kuadri të gjërë të ligjeve, mekanizmave e dokumenteve në fuqi, ende ka shkelje të ligjit dhe zhvillime të pakontrolluara të cilat nuk mbikqyren dhe nuk kanë trajtim të merituar si nga institucionet e nivelit qendror por edhe atë lokal. Poashtu këtu mungon edhe faktori i institucioneve të drejtësisë pasi deri sot pak gjegjësisht asnjë rast nuk është ndëshkuar që në këtë mënyrë të jepet shembulli i zbatimit të ligjit edhe për mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit”, thotë Toska për Ndërtimi.info.
E tek gjetjet e Raportit të Progresit në lidhje me dëmtimet e objekteve, nuk ka kaluar pa u përmendur as padia e Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj pronarit të një shtëpie që shkatërroi një monument të mbrojtur.
“Nevojitet vigjilencë e vazhdueshme për të mbrojtur Qendrën Historike të Prizrenit, zonë me mbrojtje të veçantë. Në qershor të vitit 2018, Prokuroria Themelore ngriti një padi kundër pronarit të një shtëpie që u shkatërrua pavarësisht se ishte e listuar si një monument i mbrojtur”, thuhet në raport.
Në lidhje me këtë gjë, Lis Dorambari, thotë se ky nuk është rasti i vetëm.
Sipas Dorambarit, në vitin 2018 janë ngritur tri kallëzime penale për dëmtimin e trashëgimisë kulturore.
“Jo vetëm në një rast, por vetëm në vitin 2018 janë ngritur tri kallëzime penale për dëmtimin e trashëgimisë kulturore. Kryesisht për rrënimin e objekteve (shtëpive) që janë në pronësi të familjeve të ndryshme në Prizren. Tani i mbetet Gjykatës të veprojë në atë mënyrë siç parasheh ligji”, potencohet nga ai.
Dorambari thotë se megjithë këto mangësi, nga fillimi i këtij viti është kompletuar mbikëqyrja e Qendrës Historike të Prizrenit.
“Nga janari i vitit 2019, mbikëqyrja e ‘QHP’ është e kompletuar sa i përket inspektimit, pasi që monitorohet nga inspektorët komunalë të Komunës së Prizrenit, pastaj nga inspektorët e trashëgmisë kulturore të MKRS-së, Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Këshillit për Trashëgimi Kulturore”, bën të ditur ai.
Sipas tij, për përmirësimin e kësaj gjendjeje është bërë edhe një hap tutje “duke miratuar propozim-vendimin në mbledhjen e Kuvendit të mbajtur më 31.05.2019, për themelimin e Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit, e cila gjithashtu parashihet me ligjin për QHP-në”.
“Kjo zyre ka për qëllim: koordinimin e veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë asistencën ndërkombëtare; informimin e publikut mbi rëndësinë dhe statusin e mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit; promovimin dhe zhvillimin e Qendrës Historike të Prizrenit si destinim turistik me një trashëgimi kulturore të pasur; dhe nxjerrjen dhe shpërndarjen e informatave të sakta sa i përket Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë hartat informuese, listën e shërbimeve të ofruara, agjendat kulturore dhe reklamat”, bën të ditur Dorambari.
Përveç mangësive të gjetura nga raporti, komuna dhe Organizatat Joqeveritare në këtë qytet, thonë se kësaj zoneje i mungon edhe diçka tjetër, e që është Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Kosovës.
Por, ky plan sipas Enes Toskës, nga “Ec Ma Ndryshe”, që është inicuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2017 tanimë është gati të hyjë edhe në fuqi.
“Qëllimi i Planit është përcaktimi i politikave strategjike për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohor të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit. Kjo qendër historike, sipas legjislacionit në fuqi është identifikuar si fushë e konservimit arkitekturor, pronë e trashëgimisë kulturore dhehistorike nën mbrojtje të përhershme si dhe Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar. Ky Plan është rezultat i përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve dhe shoqërisë civile të Prizrenit për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike ex qytetit”, bën të ditur Toska.
Ai më tej tregon se Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është hartuar nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren nën koordinimin e menaxherit të EC Ma Ndryshes Enes Toska dhe kontributit të ekipit me ekspertvë ndërkombëtar dhe lokal, si dhe një numri të madh konsulentësh profesional, kontribues në proces dhe staf përkrahës.
E revitalizimi i rrugës “Marin Barleti”, po konsiderohet si një tjetër projekt që do ta përmirësojë gjendjen aktuale të Qendrës Historike të Prizrenit.
“Gjithashtu edhe një tjetër projekt që do ta përmirësojë gjendjen aktuale në Qendrën Historike është projekti për revitalizimin e rrugës ‘Marin Barleti’, i cili është i mbështetur nga Komuna e Prizrenit dhe i udhëhequr nga QRTK dhe EC Ma Ndryshe, me financim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe MKRS”, thuhet në prononcimin e kësaj komuneje./Ndërtimi.info/
