Featured
Ëmbëltore “Dubrovnik”, lokali që të rrotullon kohën mbrapa-mbrapa
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/20190712_161901.jpg)
Lokali modest që rri i strukur në rrugën “Tony Blair”, në qendër të Pejës, nuk do shumë vështrim për ta kuptuar se i përket një gjenerate tjetër, një gjenerate më të vjetër ku përreth vështirë se mund t’i gjesh ndonjë bashkëmoshatarë. Ndoshta është ndër të paktat vende ku mund të kthehesh në kohë.
Shkruan: Arta Desku
Për të gjithë burek-dashësit apo adhuruesit e “tullumbave” e “indijankave” ai mbetet një vend ikonik. Tash e dy vite ëmbëlsira nuk gjen, edhe pse ashtu njihet. Aty tani vetëm burekët krijojnë aromë.
Në këtë objekt gjithçka të bën për vete. Pllakat si formë mozaiku monotonik, llamperia gjithandej apo edhe fotografitë e qytetit shumë të dëshiruar për pushim në Kroaci, Dubrovniku. Pejanët, sot mund të zënë vend në shumë lokale e ëmbëltore luksoze, por ky objekt çdo herë ua sjellë përfytyrimin e ëmbëltores ku mund të uleshin gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Dikujt i kujton një mik, dikujt një kohë, e dikujt takimet e dashurisë.
Lokali “Dubrovnik” në Pejë është ndërtuar në vitin 1951, nga Tufik Dervoviq – “Tufo” dhe tash e 66 vite u ofron klientëve recetat më unike të përgatitura me shumë përkushtim. Edhe pse i pa restauruar për rreth 40 vite, ky objekt kurrë nuk pushon së mos-pasuri rëndësi për qytetin e Pejës.
***
Rrugës për në Korzo të Pejës, në krahun e majtë të objekteve që në fillim të tyre kanë “Muzeun Etnografik”, ëmbëltorja e “Dubrovnikut” fshehet në laramaninë e objekteve që e rrethojnë, për shkak të ngjyrave më neutrale që ka në pjesën e jashtme, e që nuk bien shumë në sy.
Por, qytetarëve të Pejë, nuk iu nevojitet shumëllojshëmria e ngjyrave, madje as firma me emër të objektit varur në ndonjë qoshe, e cila tash e një kohë i mungon, për ta identifikuar e dashur këtë lokal. Edhe pse gjysmë i gjymtuar ai sërish ka arritur t’i shpëtojë luftrave, të cilat kanë lënë shenjat e tyre.
Me t’iu afruar këtij objekti vërehet dera e metaltë, xhami i madh i pjesës së përparame dhe kapelja e bardhë e pronarit aktual të kësaj ëmbëltoreje Merdin Dervoviq, i cili e kalon ditën aty duke iu shërbyer klientëve, me shumë prej të cilëve tashmë është familjarizuar.
Kur hyn nga dera kryesore shkëputesh nga bota e tanishme dhe hyn në botën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ku Peja njihej si vend turistik. Ndjenja për atëherë të rikrijohet përmes shumë detajesh që ndodhen brenda kësaj ëmbëltoreje.
Copëzat e kujtimeve për këtë objekt që në kohën e ish-Jugosllavisë pati shkëlqimin e vet, mund të gjenden si ngushëllim në ndonjë karrige, apo fotografi të varura në mur.
Detaje tjera gjenden tek dyshemeja, tapetat e murit, enterieri i krijuar kryesisht prej druri, dera gjysmë harkore që çon në gjysmën tjetër të objektit, madje edhe tek tavolinat dhe banaku.
E pronari i këtij lokali Merdin Dervoviq, tregon se si ka filluar e gjithë historia e krijimit të këtij biznesi familjarë.
“Babai në ’42-ten o ardhë në Pejë, në Bellopojë, e ka pasë dyqanin. Kur ka ra Italia kanë gjujtë atëherë dikush, çetniktë. Ai me një grup pastaj ka ardhë në Pejë dhe rreth 6 muaj ka jetuar në ‘Hotel Korzo’…mandej, mbi ‘Pelivan’ ka qenë një e shtetit, si ‘zadrugë’ ka qenë ëmbëltorja ku ka punu, deri në ’51-ten. Mandej ka ardhë këtu dhe prej ’51-tes ka vazhdu këtu”, tregon për Ndërtimi.info, Merdin Dervoviq njohur si “Metka”.
Dervoviq shpjegon se si babai i tij, i njohur në atë kohë në Pejë si “Tufo”, e ka mbajtur në formën më të mirë këtë objekt për plot 20 vite.
“Dyqani është hapë në ’51-ten. Prej ’51-tes babai ka qenë pronari, emri i tij ka qenë Tufik Dervovic ‘Tufo’. Ai ka punuar këtu deri në ’72-ten. Në ’72-ten ka ndërruar jetë. Ka vdekë në moshën 52 vjeçare. Mandej e kam vazhdu këtë biznes unë, djali i tij. Prej ’72-tës deri tash unë punoj këtu”, rrëfen ai.
Pronari i tanishëm i këtij objekti tregon se si në ’62-ten dyshemeja ka qenë e një forme krejt tjetër, e për t’u mirëmbajtur përdorej një metodë jo shumë e zakonshme për ditët e sotme, që aplikohej nga djegia e vajit, e që njëherësh ishte edhe metodë dezinfektimi për objektin.
“Atëherë deri në ’62-ten, nuk ka qenë dyshemeja, ka qenë ‘podi’, e lyenim me vaj të djegun. ‘Podi’ mandej u lyjke, për dezinfektim e kështu. Prej ’62-tes është shtru dyshemeja e mermerit. Muret e këto gërat tjera në ’79-ten, së bashku me qeramikën dhe llamperinë” bën të ditur Dervoviq.
Derisa rindërtimi i dyshemes është bërë në vitin 1962 renovimi i tërësishëm i objektit është bërë mes viteve ’79-’80 por gjithmonë duke ruajtur strukturën parësore.
Dervoviq tregon se në kohën kur objekti është hapur ka pasur shumë më shumë vizitorë.
“Nuk ka punëtorë… nuk ka mjeshtër dhe që 2 vite është bërë burektore. Mirëpo firma akoma është që është ëmbëltore. Emrin gjithmonë e ka pasë ‘Dubrovnik’, sepse babait i ka pëlqy si emër ‘Dubrovnik’ dhe unë s’ja kam prishë. E atëherë kur është hapur ka pasur shumë më shumë vizitorë dhe ka qenë tjetër muhabet”, thekson ai.
Mirëpo, tradita e këtij zanati si duket nuk do të vazhdojë, kjo për shkak se familjarët e tjerë kanë zgjedhur rrugë të tjera.
“Familja s’po e vazhdon traditën, ka marrë zanate tjera. E kam shkurtu pak objektin dhe tani po shes bureka për me e siguru jetesën”, tregon ai.
Tani, imazhi i kësaj ëmbëltoreje ka filluar të zbehet, mirëpo qytetarët që kanë kaluar një pjesë të mirë të jetës, në Pejë, e rikrijojnë pamjen e dikurshme të këtij objekti përmes kartonëve të torteve që të rendisur gjenden në xhamin e përparëm. E që dikur këta kartonë kishin bashkuar familjet, me ëmbëlsirat që pak kush kishte ngelur pa i provuar./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)